Fernando Santos ka jo pak përgjegjësi për eliminimin e Portugalisë nga ky Botëror, kjo pasi zgjedhjet e trajnerit patën një ndikim shumë të madh në grupin e lojtarëve.
Sigurisht çështja që rëndon më shumë mbi trajnerin është çështja Ronaldo, lënia në stol e CR7 nuk është aq e lehtë. Jo vetëm Ronaldo, pakënaqësi pati edhe te lojtarë të tjerë se Leao, apo Cancelo.
Të gjithë këto detaje kanë bërë që në Portugali mediat të flasin për një largim të Fernando Santos: “Fundi i epokës Fernado Santos”, shkruan A Bola në faqen e parë duke shtuar se është koha për të ndryshuar trajner. Objektivi është “Euro2024”, por duhet një trajner i ri.
Nga Italia, Corriere dello Sport, shkruan se tani në Portugali po mendojnë për Jose Morinho-n. Në fakt edhe trajneri i Romës nuk e ka fshehur kurrë dëshirën që një ditë të drejtojë përfaqësuesen e vendin e tij, mbase ky është momenti ideal për ta bërë diçka të tillë.
Madje nga mediet italiane theksohet se në Portugali mund të pranojnë edhe që Mourinho të vazhdojë të drejtojë Romën, me të cilën ka kontratë deri në 2024-ën dhe njëkohësisht të marrë edhe drejtimin e përfaqësueses së tyre, pra të mbajë dy punë njëkohësisht.