Argjentina është finalistja e parë e Botërorit të Katarit, teksa mposhti bindshëm 3-0 Kroacinë, duke u hakmarrë në një farë mënyre për humbjen e katër viteve më parë. Albiçelestët presin në finale fituesin e çiftit Marok-Francë.
Ndeshja nisi shumë e qetë, me të dyja skuadrat që studionin njëra-tjetrën. Asnjë rast për t’u shënuar deri në minutën e 32-të të takimit, kur Alvarez futet në zonë dhe portieri kroat shkakton penallti.
Nga pika e bardhë shfaqet Messi, i cili nuk fal, duke kaluar në avantazh ekipin e tij. I 11-i gol në Kupat e Botës për Messin, që kalon Batistutën dhe bëhet shënuesi më i mirë në historinë e kombëtares në Botëror. I pesti gol për këtë Kupë Bote, barazon Mbappe.
Kroacia përpiqet të reagojë, por pesë minuta më pas argjentinasit në një kundërsulm të shpejtë shënojnë golin e dytë. Alvarez hyn në zonë, ngulmon deri në fund dhe 2-0 për Argjentinën, që më pas mund të kishte shënuar edhe golin e tretë.
Ballkanasit mundohen të hyjnë në lojë në pjesën e dytë, por rastet janë të pakta, ndërsa në krahun tjetër, sa herë që amerikano-jugorët zbresin para, krijojnë rate të rrezikshme, siç ishte një i Messit, por që portieri kroat realizoi.
Gjithsesi, goli i tretë nuk do të vononte. Në minutën e 69-të, Messi merr një top nga mesfusha avancon deri në vijën fundore, pason për për Alvarez, i cili shtyn topin në rrjetë. Katër gola për Alvarez në Katar.
Ndërsa Messit i mjafton edhe një asist apo gol për të shkuar në 20 bashkë për t’u bërë unik, teksa thjesht me prezencën e tij barazoi me 25 ndeshje Matthaus si lojtari me më shumë ndeshje në 5 Botërore.
Kroacia përpiqet në fund të shënojë një gol nderi, por edhe pas pesë minutash shtesë, nuk e arrin. Argjentina në festë, tani do të tentojë trofeun, që mungon nga viti 1986.