Më datë 19 dhjetor do të nisë edicioni i 61-të i Festivalit të Këngës në “Radio Televizionin Shqiptar”.
Arbana Osmani do të moderojë këtë vit Festivalin e Këngës dhe gjatë konferencës për shtyp në lidhje me organizimin e tij, Arbana ka zbuluar disa surpriza të reja.
Moderatorja disa ditë para natës së parë të festivalit zbuloi se do të jenë të ftuar special fituesit e “Eurosong”, Kalush Orchestra.
Përveç kësaj, nuk do të moderojë e vetme në skenën e Pallatit të Kongreseve, por ajo ende nuk ka preferuar ta zbulojë se cili moderator do ta shoqërojë atë përgjatë 4 netëve.
Ndryshe nga vitet e mëparshme këtë vit kënga që do ta përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision” do të zgjidhet nëpërmjet votave të publikut.
Çmimi për 3 vendet e para, çmimi për artistët e rinj dhe grupet alternative si dhe çmimi për karrierën do të jepen pas një vlerësimi nga juria. Ndërsa kënga që do të na përfaqësojë do të jetë ajo e cila rezulton më e votuara nga publiku.
Arbana Osmani është shprehur më herët se veçoria e këtij edicioni është se përtej çdo gjëje, qendra e organizimit do të jetë muzika dhe artistët alternativë e sidomos ata të rinj.