MENU
klinika

Dosja 184

Dy ish-zyrtarët lokalë dënohen me kusht për tjetërsim vote

14.12.2022 - 13:42

Gjykata e Dibrës vendosi të martën të dënoj me 2 vjet burg me kusht dy ish-zyrtarë lokalë në Dibër të përfshirë në atë që u bë e njohur si “Dosja 184” për blerjen dhe tjetërsimin e votave në zgjedhjet e pjesshme lokale për bashkinë në vitin 2016. Ish-Drejtori i Zyrës Arsimore Drini Gjeci dhe Nuri Meda ish-Administratori i njësisë Tomin u dënuan po ashtu edhe me dy vjet heqje të drejtës për të ushtruar funksione publike.

Gjyqtari Edvan Veçani njoftoi vendimin, që është i njejtë me kërkesat e prokurorit Urim Buci që u lexuan në prill 2022. Por për muaj me radhë gjykata nuk qe në gjendje të dëgjonte pretendimet e mbrojtjes.

Avokati Gentjan Rumano pretendoi në seancë se prokuroria nuk e kishte provuar akuzën për të dy të pandehurit dhe nuk kishte marrë dëshmitë e personave që pretendohet se ishin kanosur. Rumano i kërkoi gjykatës që t’i shpallte ata të pafajshëm ose caktimin e një mase dënimi më të lehtë si kryerja e punëve në komunitet. Sipas mbrojtësit prokuroria kishte kërkuar dënimin e Gjecit për dy akuza, por për fakte të njëjta penale. I pyetur në telefon nga BIRN, Rumano tha se “është shpejt për të folur për apelim”.

Dosja 184, me përgjime që implikojnë disa persona, përfshi të pandehurit e mësipërm, në manipulimin dhe blerjen e votës në zgjedhjet e pjesshme të vitit 2016 në favor të kandidatit të mbështetur nga Partia Socialiste, u zvarrit mes prokurorive të Dibrës, asaj të Krimeve të Rënda dhe SPAK për gati 5 vjet. Ajo u dërgua në gjykatë në fund të vitit 2020 vetëm për 4 të pandehur dhe në 12 shkurt 2021 Gjykata e Dibrës e kaloi për gjykim.

Dosja më pas u nda në dy pjesë të pandehurit Gjeci dhe Nuri Meda, për të cilët pretenca u lexua të martën kërkuan gjykim të shkurtuar. Megjithatë gjyqi ndaj tyre vijoi për mbi një vit dhe u shty disa herë për mungesë të avokatëve e mosnjoftim të personave të tretë palë në proces.

Ndërkohë procesi tjetër ndaj Robert Agës, ish-komisar i Policisë së Dibrës dhe Hasan Hotit ish-administrator i Lurës po zhvillohet në një gjyq normal, në të nuk është arritur ende në fazën e pretencës. Gjyqi vijon të shtyhet për arsye të ndryshme.