MENU
klinika

Mero Baze

Berisha po përpiqet të qëllojë SHBA dhe Britaninë e Madhe me “grushtin” e 6 Dhjetorit

14.12.2022 - 21:55

Sali Berisha ndjehet i dëshpëruar se po i shuhet jehona e sulmit fizik mbi të. Dhe për këtë ju desh të dilte sot për të nxitur mbajtjen gjallë të këtij agresioni përmes tre shpikjeve të tij.

Fillimisht me përpjekjen për ta vrarë Gert Shehun përmes të tretëve. Në fillim tha se ai e ka falur Gert Shehun, agresorin e dhunshëm të tij, por nga ato që tha më pas, në fakt ai po kërkon që ta ekzekutoj Gert Shehun përmes të tretëve, duke sajuar histori kriminale për të dhe duke devijuar pistën reale të një të sëmuri psikik. Ai e shpalli atë agjent të policisë kriminale të përdorur për infiltrime në grupet e drogës për ti spiunuar ata tek polica, dhe përgjues të xhematit në Xhami, për t’iu raportuar ata në polici.

Më thjeshtë ai u ka thënë gjithë kriminelëve të drogës në Tiranë që sapo të lirohet ky person duhet ta ekzekutoni se ju ka spiunuar në polici dhe ti thotë çdo besimtari në xhami që ai ju ka raportuar në polici. Kjo jo vetëm që është një urdhër ekzekutimi publik për agresorin e tij, por është një urdhër ekzekutimi bazuar në shpifje çka e bën Sali Berishën më të lig se çfarë e njohin shqiptarët dhe më të vogël edhe si njeri edhe si politikan.

Nuk është e domosdoshme që Sali Berisha ta fali Gert Shehun. Gert Shehun e gjykon drejtësia dhe ai duhet të mbështesë drejtësinë për ta hetuar dhe gjykuar atë. Por ai nuk e ka atë dimension njerëzor. Ai është një burracak që agresorin kërkon ta masakroj duke i kundërvënë kontingjente kriminale, apo besimtarë fanatikë të cilëve u fut paranojën se ai i ka spiunuar në polici, për çfarë flasin në xhami. Dhe kjo është fytyra e vërtet e Sali Berishës. Gjithë jetën, gjithë vrasjet i ka bërë me të tretë, duke i nxitur të vrasësin hasmit e tij. Siç bëri me Azem Hajdarin.
Së dyti duke implikuar agjencinë më të famshme të lajmeve në botë Reuter, si komplotiste ndaj tij, me sa duket ngaqë është angleze. Ai shpifi publikisht duke akuzuar agjencinë Reuter, që dha e para lajmin, si të manipuluar nga Edi Rama, për të cilin tha se ka një kushëri që punon në zyrën e Tiranës.

Në të vërtet një kolegu ynë kushëri i Edi Ramës ka punuar në Reuter në Tiranë, por ka së paku katër vite që nuk punon më aty dhe besoj nja 14 vite që nuk komunikon as me Edi Ramën, por kjo ka pak rëndësi për Sali Berishën. Atij i duhet që Reuter, agjencia më prestigjioze në botë të jetë e “kompromentuar’ nga Edi Rama në dhënien e lajmit mbi agresorin të cilin e vizatoi si të sëmurë psikik. Nuk i intereson e vërteta por i duhet skenari i komplotit ndërkombëtar ndaj tij. Nuk i duhet çmendur, i duhet i zgjuar, nuk i duhet i Met Rrumbullakut i duhet i Ardi Veliut, nuk i duhet rastësi data 6 Dhjetor, por i duhet e zgjedhur nga Edi Rama për të festuar Samitin e BE në Tiranë.
Së treti duke u përpjekur të nxis paranojën se SHBA kontrollon drejtësinë dhe do fal dhe Gert Shehun. Ai nuk harroi të sulmojë serish ambasadoren e SHBA në Tiranë, duke e fajësuar atë prishje të raporteve miqësore Shqipëri SHBA. E vërteta është se nuk është dëmtuar asnjë raport mes Shqipërisë dhe SHBA për shkak të ambasadores së SHBA në Tiranë, por ka një përpjekje politike nga Sali Berisha për të ngritur një valë antiamerikane në Tiranë bazuar në gënjeshtra shantazhe dhe përpjekje për ti shpëtuar drejtësisë. Duke e parë SHBA dhe rolin e saj mbikëqyrës në Reformën në Drejtësi si rrezik për të dhe njerëzit e tij, Sali Berisha akuzon ambasadoren e SHBA, për prezencën e saj në një ceremoni në Gjykatën Kushtetuese dhe shpik rregulla protokolli se kur duhet të flas e kur duhet të hesht ajo.

E gjitha është një përpjekje ë e tij që ta lidh agresionin fizik mbi të me rolin e SHBA në drejtësi, që të ndjehet i viktimizuar edhe nga SHBA, pasi kështu shpreson që do ta mbaj më gjatë gjallë efektin e sulmit mbi të.
Pak a shumë ai kërkon të bëj me Gert Shehun, atë që bëri me Lulzim Bashën, të cilin e akuzoi për agjent amerikan dhe ngriti një valë antiamerikane në PD. Tani po kërkon që të shpall SHBA si mbrojtëse të Gert Shehut, që të ngrejë një valë të re populiste ndaj SHBA.

Por në fakt e vërteta është shumë e thjeshtë. Sali Berisha pati një sulm të shëmtuar fizik nga një njeri me probleme psikike. Për fat është mirë fizikisht dhe ato syzet nuk po i heq ngaqë po i shijojnë si stil. Përpjekja për të ndezur flakën e revolucionit me kashtën e Gert Shehut, nuk mban gjatë.

Nuk them mos ta provojë se me aq të çmendur që mblidheshin në foltoret e tij, mund të ketë sukses tek të ngjashmit e Gert Shehut, po jo tek njerëzit normalë të Shqipërisë. Madje as tek njerëzit normal të PD.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN