MENU
klinika

Zgjedhja në krye të SPAK

Ambasada Amerikane: E mbështesim Dumanin, mezi presim të punojmë me të

16.12.2022 - 18:35

Ambasada Amerikane ka reaguar për zgjedhjet së Altin Dumanit në krye të Prokurorisë së Posaçme. Me anë të një postimi në Facebook, ambasada shkruan se e mbështesin zgjedhjen e Dumanit si kryeprokuror i SPAK. Po ashtu në postim theksohet se SHBA-të do të punojnë me të për të vazhduar reformën në drejtësi. Gjithashtu ambasada ka falenderuar ish-kreun e SPAK, Arben Krajan për punën e bërë në këto 3 vite.

Postimi i Ambasadës amerikane:

Ambasada e SHBA përgëzon Altin Dumanin për zgjedhjen si Kryeprokurori i ardhshëm i SPAK. Të tre kandidatët – zoti Dumani, Adnan Xholi dhe Edvin Kondili – janë shumë të kualifikuar dhe meritojnë respekt të plotë në përpjekjet e tyre. Presim me kënaqësi të punojmë ngushtë me të gjithë ata. Për të çuar përpara Memorandumin e Presidentit Biden në Përcaktimin e Luftës kundër Korrupsionit si një Interes Thelbësor i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara (qershor 2021), ne do të vazhdojmë të mbështesim zbatimin e reformës në drejtësi. Presim me kënaqësi të mbështesim zotin Dumani dhe SPAK-un ndërsa ata vazhdojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Puna e SPAK-ut duhet të vazhdojë të demonstrojë që askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Reforma në drejtësi nuk është vetëm një kusht për anëtarësimin në BE, është një kërkesë e drejtë e popullit shqiptar. Shtetet e Bashkuara do qëndrojnë gjithnjë krah popullit shqiptar. Falënderojmë Këshillin e Lartë të Prokurorisë për një proces përzgjedhës i cili pati qëllim të siguronte integritetin e procesit. Është thelbësore për institucionet e drejtësisë që të veprojnë me integritet, pa frikë apo favore. Vlerësojmë shumë zotin Kraja për udhëheqësinë dhe përkushtimin e tij si Kryeprokurori i SPAK. Ai vendosi themele të forta mbi të cilat pasardhësit e tij mund të ndërtojnë.

Altin Dumani është zgjedhur kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), duke zëvendësuar Arben Krajën në këtë post. Dumani mori pesë vota nga procesi i votimit që u zhvillua në Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP). Kandidati tjetër, Edvin Kondili mori 4 vota, ndërsa Adnan Xholi mori vetëm një votë.