Filmi “Internimi” i regjisorit Kast Hasa, “rrëmbeu” dy çmime në edicionin e XV të festivalit të filmit “Hyjnesha në Fron”.
Në dymbëdhjetë çmimet e ndara nga juria e festivalit, “Internimi” shpallet filmi më i mirë, ndërsa aktori kryesor i filmit, Klodian Hoxha, u përzgjodh si aktori më i mirë i filmit të metrazhit të gjatë.
Filmi ka marrë pjesë, më herët, në Arizona International Film Festival. Kjo ishte edhe premiera botërore e këtij filmi i cili është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në kategorinë e filmit artistik, metrazh i gjatë, vepër e parë.
Ngjarjet vendosen në Shqipërinë e vitit 1983, ku familja Kulla përpiqet të mbijetojë në internim. Personazhi kryesor është djali i familjes Kulla, Arturi, i dashuruar me Fridën. Vetë regjisori është rritur vetëm 10 kilometra larg njërit prej fshatrave ku internoheshin “armiqtë e pushtetit”.
“Internimi” synon të hedhë dritë mbi mizoritë dhe absurditetet e kësaj kohe”, është shprehur regjisori Hasa.
Festivali i filmit “Hyjnesha në Fron” shënoi edicionin e 15-të të tij. Në Kino “Armata” në Prishtinë për tre ditë me radhë janë shfaqur filma dhe janë mbajtur aktivitete artistike nga komuniteti i kineastëve dhe adhuruesve te kinematografisë.
Festivali “Hyjnesha në Fron” tashmë traditë në Kosovë, zakonisht është zhvilluar gjatë stinës së verës por këtë edicion jubilar e zhvilloi në fundvit.