Koculi fshati me i vjetër në krahinën e labërisë, duket se ka humbur jo vetëm krenarinë e historisë që mbart, por edhe banorët.
Për të hyrë e dalë nga ky fshat rruga është e shkurtër por shkon gjatë sepse është e keqe.
“Sa herë bëjmë këtë rrugë, e çojmë makinën në servis. Kanë hedhur pesë lopata zhavror aty, ky është investimi”, pyet një shofer në zonë.
“Kemi investuar këtu, kemi mbjellur ullinj, kemi shtëpitë. Është e vështirë, sakrifikojmë shumë”, shprehet një banor tjetër.
E vendosur në njësisë Administrative Vllahinë të bashkisë së Selenicës, mbi një zonë naftëmbajtëse, fshatit i ikin çdo ditë banorë.
“Po largohen njerëzit shumë, po iki… nga papunësia. Në fshatin tonë, nuk ka asnjë djalë të punësuar. Koculi ka qenë me 140 familje, mund të kenë ngelur 30“, thotë një banor.
Në shkollën e fshatit fëmijët thonë se edhe ata sapo të mbarojnë klasën e nëntë do të largohen.
“Kemi qenë shumë shokë, por kanë ikur. Nuk ka ngrohje, xhamat janë të thyer, banjo nuk ka“, tregon një nxënës.
Përveç mungesës së rrugës,ujit të pijshëm, gazi që del nga nëntoka bën që në në fshat të mos jetohet.
“Kanë ikur shumë dhe po ikin. Dy familje kanë ikur këto ditë”, shprehet banori.