“Shqipëria ka bërë një zgjedhje, të bëhet anëtare e Bashkimit Europian”, tha ministri i Jashtëm Nikos Dendias në një deklaratë për gazetarët pas përfundimit të vizitës së tij në Tiranë. Pas vizitës së tij në Shqipëri, ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias, në një prononcim për mediat greke tha se Greqia nuk ka asnjë problem me shtetet që bashkëpunojnë me Turqinë, kur u pyet për bashkëpunimin e Tiranës me Ankaranë.
“Shqipëria të bëjë atë që është e kuptueshme, të vendoset në thelbin e fortë të familjes europiane. Dhe ne besojmë se është aty. Kjo nënkupton edhe një sërë parametrash. Këto parametra, të cilat duhet të vendosë pala shqiptare, duhet t’i shërbejnë narrativës së saj kryesore. Greqia nuk ka asnjë problem me Turqinë në vetvete, as nuk ka asnjë problem me bashkëpunimin me Turqinë. Megjithatë, kemi një problem të madh me revizionizmin turk, si me çdo revizionizëm. Rrjedhimisht, çdo parametër duhet që nga njëra anë t’i shërbejë idesë evropiane, nga ana tjetër të mos lejojë shfaqjen e revizionizmit në rajon,”- theksoi ai.
Dendias vuri në dukje se në takimet e tij në Tiranë patën mundësinë të analizojnë situatën në Ballkanin Perëndimor, problemet që ekzistojnë në veri të Kosovës, por edhe marrëdhëniet dypalëshe, mes Shqipërisë dhe Athinës zyrtare. Vizita e tij do të pasohet nga ajo e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, i cili do të vizitojë për herë të parë fshatrat me minoritete greke në jug të Shqipërisë.