MENU
klinika

“Kundër kërcënimeve të Kurtit”

Serbët nisin protestën në veri të Kosovës

22.12.2022 - 14:05

Grupe të qytetarëve serbë nisën protestën në fshatin Rudarë, Komuna e Zveçanit, kundër, siç thanë, “kërcënimeve” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Në këtë vend, i cili në mesin e komunitetin lokal serb njihet edhe si “Te kryqi”, ndodhet një prej barrikadave të ngritura në veri të Kosovës qysh më 10 dhjetor.

Raportohet se në protestë u mblodhën edhe pjesëtarë të komunitetit serb nga zona të tjera të Kosovës.

Bëhet fjalë kryesisht për persona të punësuar në institucionet serbe që funksionojnë në Kosovë.

Në mesin e të pranishmëve ka edhe prej atyre që punojnë në institucionet e Kosovës, kryesisht në ato të vetëqeverisjes lokale.

Disa nga qytetarët e mbledhur në Rudarë, me të cilët ka biseduar REL-i, thonë se kanë ardhur për të luftuar për të drejtat e tyre, por ka edhe nga ta që deklarojnë se janë detyruar të vijnë. Tubimet e tilla janë “obligim pune” për punonjësit në institucionet serbe në Kosovë.

Protesta, që u cilësua si “më e madhja ndonjëherë”, vjen pas thirrjes së të ashtuquajturit Shtab i krizave, i cili përbëhet nga punonjës të institucioneve të Serbisë në Kosovë dhe përfaqësues të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila vepron me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Në thirrjen për protestë u tha se ata duan të dërgojnë mesazh se nuk janë dakord me “persekutime dhe vrasje”.

Paraprakisht, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, tha përmes një video-mesazhi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, planifikon të “vrasë serbë” në barrikada.

Ajo që Kurti i tha, në fakt, gazetës britanike Guardian, është se ai “shpreh shqetësim se heqja e barrikadave mund të çojë në viktima potenciale”.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, i ftoi qytetarët që “të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar” gjatë protestës.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se u ofron “mbështetje të plotë” serbëve në Kosovë.

Sipas paralajmërimeve të mëhershme, të mbledhurit në protestë pritet t’i kundërshtojnë edhe “ultimatumet dhe afatet” për heqjen e barrikadave.

Nga 10 dhjetori, grupe të serbëve në veri të Kosovës kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Me këtë veprim, ata i janë përgjigjur arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiç, i dyshuar për një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Për heqjen e barrikadave, ata kërkojnë lirimin e Pantiçit.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë se kanë kapacitete për heqjen e barrikadave, por se janë duke i dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që ta bindë komunitetin lokal që t’i zhbllokojë vetë rrugët.

Ndërkohë, Vuçiç ka thënë se barrikadat do të hiqen kur të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, për të cilin është rënë dakord në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Autoritetet e Kosovës janë kundër formimit të këtij asociacioni, me arsyetimin se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik dhe se ai nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës./REL

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Nuk do fshihemi nga të fuqishmit në botë, por…"

Vuçiç mbështet serbët në veri dhe u bën thirrje të ruajnë paqen


Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!