23.12.2022 - 20:21
Kjo që dikur na ishte një murgatë,
Po ngjeshet rreth oborrit me mundim,
Sikur kërkon të mbyllë ndonjë plagë…
Të tjerë njerëz vijnë për strehim.
Të qetë rrojnë, larg zhurmës botë.
Nëpër këto udhë enden me ngadalë.
Takohen, ndahen, risht ndodhen përballë,
Sikur parajsës bredhin, ku s´bën ftohtë.
Për lulet përkujdesen nëpër lehe,
Të varfër e të gjunjëzuar.
Dhe kur s´i sheh ndonjë, kanë një shprehje
Të përmalluar, të hutuar,
Për këtë njomështi e këtë bar,
Një ledhatim të ndrojtur e të ngrohtë.
E kuqja e trëndafilit kërcellhollë,
Sikur thërret me zë kërcënimtar,
Sikur kudo të shtrijë do sundimin,
Dhe mbi këta që ngrihen që pa gdhirë,
Po nuk arrin të shfaqë si për mendimin:
Sa i mirë bari i njomë që ka mbirë!