Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD), organizon protestë për shkak të dënimit të Salih Mustafës, ish-komandant i UÇK-së, nga Gjykata Speciale.
Lideri i kësaj partie ka bërë të ditur se më 24 dhjetor , në ora 14:00, në sheshin Zahir Pajaziti, do të mbahet protestë kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa.
PSD, përmes rrjetit social Facebook, duke ftuar qytetarët për të dalë në protestë, thekson se vendimet e Gjykatës Speciale janë të padrejta, prandaj ato nuk mund të shqiptohen në emrin e qytetarëve të Kosovës.
“Vendimet e Gjykatës Speciale janë të padrejta. Prandaj ato nuk mund të shqiptohen në emrin tonë”, thuhet në reagim.
Tutje, kjo parti thekson se Dhomat e Specializuara dëshirojnë legjitimim përtej atij formal-juridik, sepse vendimet e kësaj gjykate nuk kanë legjitimitet te populli i Kosovës, duke sqaruar më tej, se “përbrenda ligjit, që s’frymon me konventa ndërkombëtare të drejtësisë, i hapet rruga gjykimit një-etnik e me qëllim përfundimtar: tjetërsimin e luftës çlirimtare në një konflikt interesash të ngushta vetanake.”
Salih Mustafa, ish-komandant i UÇK-së, ditë më parë, u dënua me 26 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë.