Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, Arbër Zaimi ka reaguar përmes një mesazhi lidhur me sulmin pranë patrullës së KFOR-it mbrëmjen e djeshme në Zubin-Patok. Përmes një postimi në rrjetin social facebook, Zaimi shkruan: ‘Në veri të Kosovës do të nisë fundi i Vuçiçit”, parashikimi i cili pritet të sjellë reagime nga pala serbe.
Një ditë më parë një ekip i KFOR-it u sulmua në Zubin-Potok, por fatmirësisht nuk u raportua për të lënduar. Pjesëtarët e KFOR-it, siç bëjnë me dije edhe mediat kosovare janë nga Letonia. Reagime ka patur nga mediat serbe dhe presidentja e Kosovës mbrëmjen e djeshme. Sot KFOR-i ka konfirmuar se janë dëgjuar krisma armësh pranë patrullës e cila ishte duke monitoruar gjendjen. Gjithashtu, njoftohet se lidhur me rastin janë duke u kryer hetime. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla reagoi lidhur me rastin duke u shprehur se këto janë lojërat e presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe instrumentat e tij kriminale po vazhdojnë. Ai gjithashtu tha se barrikadat duhet të hiqen menjëherë dhe se Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës. Nga ana tjetër kreu i ushtrisë serbe Milan Mojsiloviç ka njoftuar se është duke udhëtuar për në Rashkë. Ai ka zbardhur takimin që zhvilloi ditën e djeshme me presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Fokusi i bisedimeve me presidentin serb ka qenë Kosova dhe për këtë arsye ai është nisur me detyra të qarta në Rashkë, teksa nuk ndau detaje të tjera lidhur me takimin.