Ditën e sotme në Kosovë është mbledhur Këshilli i Sigurisë Kombëtare, pas tensioneve në veri të Kosovës dhe zhvillimeve të fundit atje.
Mbledhja është thirrur nga vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në takim “u tha se ky kërcënim dhe këto veprime vijnë si rezultat i koordinimit të ngushtë mes Qeverisë së Serbisë dhe strukturave ilegale dhe grupeve kriminale, e cila po ashtu po përhapë propagandë”.
“Strukturat ilegale si dhe grupet kriminale po vazhdojnë të kryejnë akte ekstremiste ndaj qytetarëve të Republikës, institucioneve shtetërore, ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gazetarëve, ndaj pjesëtarëve misionit të EULEX-it dhe njësive patrulluese të KFOR-it”, thuhet në komunikatën për media pas takimit.
Aty u tha se gjatë këtyre 17 ditëve nga ngirtja e barrikadave ka pasur komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in.
“Po ashtu, u ritheksua se Policia e Kosovës i ka të gjitha kapacitetet dhe gatishmërinë për të vepruar por siç dihet tashmë, jemi në pritje të veprimeve nga KFOR-i”, thuhet më tej në konunikatë, raporton Ekspress.
Në takim gjithashtu është thënë se “Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës nuk mund të dialogojnë me banda kriminale”, ndërsa ZKM tregon se u potencua edhe se “liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”.
Kujtojmë se tensionet në veri të Kosovës kanë nisur prej disa javësh, pas arrestimit të një ish-zyrtari serb të policisë, ku janë bllokuar disa prej akseve hyrëse të veri të Kosovës dhe ka pasur edhe përplasje me policinë dhe trupat e KFOR-it.