Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, ka organizuar një mbrëmje ku ka ftuar aktorët e kineastët që kanë punuar për realizimin e filmit “Koncert në vitin 1936”, i cili sapo ka përfunduar restaurimin.
Shfaqja e filmit të restauruar erdhi 44 vjet pas premierës së tij. Në sallën e AQSHF-së ishin të pranishëm një pjesë e aktorëve protagonistë: Margarita Xhepa, Manushaqe Qinami e Mirush Kabashi, si dhe emra të tjerë të njohur të kinematografisë shqiptare si Tinka Kurti etj.
Sot filmi do të shfaqet pikërisht në vendin ku është xhiruar 44 vjet më parë, në Libohovë.
Restaurimi digjital i filmit “Koncert në vitin 1936” dhe shfaqjet publike të tij, u mundësuan nga “Sezoni i Filmave Klasikë”, një nismë e ACE – Association des Cinémathèques Européennes, mbështetur nga Komisioni Europian.
Filmi është vepër e regjisorit Saimir Kumbaro, me skenar të Kiço Blushit e Dhimitër Shuteriqit dhe muzikë të Limos Dizdarit. Operator i filmit ka qenë Saim Kokona ndërsa piktor i filmit, Astrit Tota.