MENU
klinika

Një fenomen në Spanjë

Vinicius ‘kafsha’ e re e Realit të Madridit

30.12.2022 - 19:39

Vinicius Zhunior ka lënë pas zhgënjimin me Brazilin në Botërorin e Katarit. Ai është kthyer në Spanjë për të nisur nga puna me Realin e Madridit. Atij i kanë mjaftuar vetëm 4 seanca stërvitore për të qenë gati për Vajadolidin.

Golashënuesi më i mirë i Realit në këtë sezon dëshiron ta mbyllë vitin kalendarik me gola në ndeshjen e javës së 15-të, sot në mbrëmje. Viti 2022 ka konfirmuar progresin e shkëlqyer të një “kafshe” në të gjitha aspektet. Forca e brazilianit është ndier në fushë dhe jashtë saj. Ai është kthyer në një makinë për të gjeneruar futboll dhe para.

IMPAKTI NË SULM – Kontributi i tij në sulm është rritur ndjeshëm. Në pritje të Benzemasë në formën më të mirë, Vinicius është bërë referenca e sulmit të Ançelotit. Pa llogaritur ndeshjen ndaj Vajadolidit, braziliani ka shënuar 20 gola deri më tani këtë vit dhe ka dhënë 16 asistime, duke tejkaluar që tani sezonin e tij më të mirë në Madrid.

YLL BOTËROR – Tani Vinicius mund të ulet në një tryezë me yjet e rinj botërorë si Mbape dhe Haland, që synojnë të marrin stafetën nga Mesi dhe Kristiano. Shifrat e tij, titujt, hierarkia në Madrid dhe në ekipin brazilian në moshën 22-vjeçare e thonë këtë.

HEROI I CHAMPIONS-it – Shpërthimi i Viniciusit ka qenë i lidhur drejtpërdrejt me sukseset e fundit të mëdha të Realit. Vitin po e mbyll me shumë tituj: Superkupën e Spanjës, Ligën dhe Ligën e Kampioneve dhe Superkupën e Europës. Në Paris ai u bë heroi i Realit të Madridit me golin që u dha titullin numër 14 në Champions gjigantëve spanjollë.

RINOVIMI GALAKTIK – Falë paraqitjes së tij, Vinicius ka fituar edhe rinovimin në Madrid. Rinovimi i tij është një fakt, edhe pse mungon konfirmimi zyrtar. Klauzola, në parim, do të shkojë nga 350 milionë euro në 1 miliard euro! Paga do të jetë gjithashtu galaktike, nga 3.2 milionë neto në rreth 10 milionë të thata. I vetmi aspekt që mbetet për t’u sqaruar është kohëzgjatja e kontratës së re. Reali propozon vitin 2028, por lojtari preferon një kontratë mes 2026-ës dhe 2027-ës.

I TRETI MË I VLEFSHËM – Vinicius e nisi vitin me një vlerë tregu prej 100 milionë eurosh, sipas “Transfermarkt” dhe do ta mbyllë me 120 milionë euro. Kjo e bën atë lojtarin e tretë më të vlefshëm në botë pas Mbapesë (180 milionë euro) dhe Haland (170 milionë euro).

IKONË REKLAMASH – Imazhi i Viniciusit ka bërë gjithashtu një hap të madh në vitin 2022, duke e kthyer në një ikonë reklamash. Ndikimi i tij në media, shitja e fanellave, numri i ofertave dhe marrëveshjeve me kompani të ndryshme ndërkombëtare apo ndikimi në rrjetet sociale (28,1 milionë ndjekës në “Instagram”), ka arritur një dimension spektakolar.