Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX), tha se pavarësisht se ka rritur patrullimet, nuk mund të mbushë vakumin e krijuar nga dorëheqjet e policëve serbë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Ky mision tha se kthimi i policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit tjetër serbë – që paraqitën dorëheqje në muajin nëntor – është “esencial”.
“EULEX-i mund ta plotësojë këtë vakum vetëm pjesërisht përmes pranisë së shtuar në terren, por misioni nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës apo ndonjë autoritet tjetër të sundimit të ligjit. Prandaj, kthimi në marrëveshjet përkatëse të dialogut që e rregullojnë integrimin në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor është esencial”, tha EULEX.
Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit – në nëntor njoftoi për dorëheqjen e policëve, prokurorëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë serbë, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës lidhur me konvertimin e targave, nga ato ilegale serbe, në RKS- Republika e Kosovës.
Që atëherë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë kësaj jave po ashtu u ka bërë thirrje serbëve që të aplikojnë për vende pune në institucionet e Kosovës, të cilat kanë mbetur bosh pas dorëheqjeve të paraqitura në nëntor.
EULEX po ashtu tha se mirëpret uljen e tensioneve në veri dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes pas heqjes së barrikadave.
Nga 10 dhjetori deri më 29 dhjetor, disa serbë lokalë bllokuan rrugët në veri për shkak të arrestimit të një ish-polici serb.
Por, Dejan Pantiçit, – që dyshohet për “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri – iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak më 28 dhjetor.
Po atë ditë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkuan që të ulen tensionet dhe të hiqen barrikadat. Përfaqësuesit serbë të Kosovës u takuan në Rashkë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, dhe njoftuan për heqjen e barrikadave.