Mançester Junajtid është gati që të hyjë në merkato në janar, për të përforcuar radhët me lojtarë cilësorë për repartin e avancuar. Erik Ten Hag ka bërë të qartë se kërkon më shumë alternativa dhe me largimin e Ronaldos, një vend i rëndësishëm mbetet bosh në radhët e ekipit të tij.
“Daily Mail” raporton se kjo ka bërë që klubi të kthejë sytë nga sulmuesi i Francës, Markus Turam, i cili bëri një paraqitje mjaft të mirë në Kupën e Botës dhe pritet të ndryshojë skuadër për të provuar një kampionat më të fortë. Ai është pjesë e Borusia Mynshengladbah, por prej javësh diskutohej kalimi i tij në Serinë A, ku është një emër që ndiqet me shumë interes nga Interi.
Gjithçka mund të ndryshojë tashmë me interesimin e Mançester Junajtid, i cili gjithashtu po sheh edhe drejt Barcelonës për Memfis Depaj dhe Vinsent Abubakar, sulmuesin e Al Nassr, i cili mund të mos ketë shumë hapësira pas mbërritjes së Kristiano Ronaldos.