Napoli është hedhur në sulm për të përforcuar radhët për këtë edicion por edhe në atë pasardhës, pasi nën drejtimin e Spaletit, napolitanët synojnë të ndërtojnë një cikël fitues. Klubi ka hedhur sytë drejt emrave të rinj dhe duket se është kthyer nga një nga emrat që shkëlqeu më shumë në Botërorin 2022.
Azedin Ounahi është një nga emrat më të spikatur dhe më të lakuar në këtë periudhë, pasi mesfushori shkëlqeu me Marokun gjatë aktivitetit në Katar. Numri 8 i Marokut ra në sy me lojën e tij në të dy fazat dhe u kthye në objektivin e dëshirave të shumë klubeve.
Raportohet se Napoli ka gjetur mënyrën se si të mposhtë konkurrencën për futbollistin e Anzher. Leisteri i kishte bërë një ofertë prej 20 milionë eurosh francezëve dhe këta të fundit ishin gati ta pranonin, por napolitanët janë kundërpërgjigjur me një ofertë të barazvlefshme ekonomike. Megjithatë, ndryshe nga anglezët, ata kanë informuar se Anzher mund të mbajë lojtarin deri në verë dhe kjo mund të kthejë në favorin e tyre situatën dhe të afrojë firmën me mesfushorin.