Tensione, dialogu me Serbinë, liberalizimi i vizave si dhe aplikimi në organizata ndërkombëtare. Këto ishin çështjet ose pikat kulmore në Kosovë për vitin 2022. Në një retrospektivë, që do të bëjmë do t’i marrim dhe diskutojmë këto çështje në nivelin e rëndësisë së tyre që nga dita e parë e vitit 2022 deri në fund të tij.
Dialogu Kosovë-Serbi
Një pikë e rëndësishme e vitit që lamë pas ishte padyshim vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi. Gjatë 2022-shit, ka pasur disa takime mes diplomatëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për arritje të një marrëveshje. Por takimet mes dy diplomatëve shqiptarë Besnik Bislimi dhe serb Petar Petkoviç, kanë dështuar dhe kanë përfunduar pa asnjë marrëveshje, por edhe me akuza të dyanshme mbi pengimin e procesit të dialogut. Për këto shefi i Bashkimit Evropian për diplomacinë Josep Borrell arriti që të krijonte ambient për takim mes krërëve të dy vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por edhe takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, nuk rezultoi gjë tjetër veç se ‘dështim‘. Kjo pasi nuk u arrit asnjë marrëveshje në favor të dy vendeve.
Reciprociteti i targave
Reciprociteti i targave në Kosovë, ishte një periudh që u kalua me tensione si dhe kërcënime të shumta për Kosovën. Kjo pasi kur Kosova vendosi që të iplementojë marrëveshjen e arritur në vitin 2021 për reciprocitetrin e targave për makinat serbe që hynin në Kosovë, shumë serb të veriut të Kosovës por edhe politikanët serb në Kosovë e kundërshtuan atë, edhe pse një vit më parë marrëveshja për riregjistrimin e targave të serbëve u pranua nga të dyja palët. Pas shumë icidenteve si dhe debateve, takimi i Kurtit me Vuçiç në Bruksel solli dhe marrëveshjen që po zbatohet tani. Në marrëveshje u ra dakord se Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.
Zgjedhjet lokale
Dorëheqja e deputetëve serb si dhe kryekomunarëve serb në veri të Kosovës, bëri që Presidentja Vjosa Osmani të shpallte zgjedhjet e parakohshme lokale në 18 dhjetor. Por teksa nisën të bëheshin përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve nga ana e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, serbët në veri të Kosovës, nisën provokimet dhe sulmet ndaj institucionit të KQZ-së. Ndaj këtyre sulmeve, policia e Kosovës, arrestoi efektivin serb të dorëhequr, Dejan Pantiç. Por në këtë moment situate nisi të agravonte më shumë Akoma, duke bërë që zgjedhjet e parakohshme në veri të Kosovës, u shtynë për 2023. Por as kjo nuk e qetësoi situatën e agravuar në veri pasi serbët vendosën që të vendosinin barrikada dhe të bllokonin rrugët. Për më shumë se dy javë situata Kosovë-Serbi ishte alarmante. Agravimi i situatës erdhi më shumë Akoma, kur Vuçiç vendosi ushtrinë në gadishmëri të plotë, duke paralajmëruar një luftë tjetër në Ballkan. Situata u qëtësua vetëm në 28 dhjetor, kur Gjykata vendosi që Pantiç ta linte në arrest shtëpie në vend të burgut. Ky vendim solii pakënaqësi nga qeveria e Kosovës, por arriti që të bindte Beogradin si dhe serbët në veri të Kosovës që të hiqnin barrikadat dhe të normalizohej gjendja, që dukej se mund të shpërthente një luftë nga momenti në moment.
Plani Franko-Gjerman
Të drejta të barabarta Kosovës dhe Serbisë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë janë elementet kyçe të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, të cilin e siguroi REL. Ky propozim, i njohur edhe si plani franko-gjerman, mësohet se u është dhënë palëve qysh në fund të verës. Ai ka mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Nga Serbia, po ashtu, kërkohet që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Liberalizimi i vizave
Presidenca çeke e Bashkimit Evropian ka hartuar një vendim të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën, ku thuhet se nisja e zbatimit të liberalizimit të vizave do të ndodhë në të njëjtën kohë me atë të sistemit ETIAS, por jo më vonë se 1 dhjetori i vitit 2023. Vendimi i ri, në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, është formalizuar pas takimit të përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në grupin punues për vizat në Këshillin e BE-së. Ky propozim është një kompromis mes kërkesës së Francës që hyrja në fuqi të lidhet me funksionalizimin e Sistemit Evropian të Informimit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), edhe pse shumica e shteteve anëtare kanë kërkuar që këto dy tema të mos lidhen, ose së paku të ketë një datë të prerë se kur qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen. Sipas diplomatëve të BE-së kjo do të thotë se liberalizimi mund të nisë më 1 nëntor 2023, në rast se në atë datë nis edhe funksionimi i ETIAS-it. Por, nëse ky sistem nuk do të jetë i gatshëm apo nuk do të nisë që të zbatohet, atëherë liberalizimi i vizave gjithsesi do të nisë më 1 dhjetor të vitit 2023. Diplomatët e BE-së e konsiderojnë këtë gjë si të rëndësishme për Kosovën pasi në këtë mënyrë, sipas tyre, shmanget mundësia që Kosova të presë për liberalizim në rast të moshyrjes në fuqi të ETIAS-it.
Aplikimet për anëtarësime në organizatat e huaja
Më 15 dhjetor Kosova dorëzoi kërkesën zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një hap në një proces shumë të gjatë drejt integrimit të mundshëm, që varet edhe nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Duke dorëzuar kërkesën në Pragë kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ajo synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin. Një nga kushtet kryesore për integrimin e Kosovës është arritja e një marrëveshjeje normalizimi me Serbinë. Normalizimi është kusht edhe për integrimin e Serbisë, e cila hapi në vitin 2014 negociatat për anëtarësim. Një ndër pengesat e mëdha në proceset integruese është mosnjohja e Kosovës nga pesë vende anëtare të BE-së: Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja. Pak pas agresionit rus në Ukrainë qeveria e Kosovës themeloi grupin punues ndërinstitucional, që synon përshpejtimin e anëtarësimit në NATO, një proces që varet nga fakti se katër nga vendet anëtare të NATO-s ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Greva e arsimtarëve
Viti shkollor në Kosovë filloi me një muaj vonesë për shkak të grevës pesë javore të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK). Greva në arsim nisi më 25 gusht, me kërkesat për 100 euro shtesë deri në hyrjen fuqi të Ligjit të pagave dhe disa kërkesa tjera. Kërkesat e tilla të SBAShK-ut ishin hedhur poshtë nga Qeveria e Kosovës, e cila kishte ofruar një zgjidhje prej 50 eurosh, me premtimin se një gjë e tillë do të shikohet të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm në varësi të shkallës së inflacionit. Pas takimeve të shumta, akuzave e kundër-akuzave greva në arsim u ndërprerë pas pesë javësh dhe SBASHK-u kishte marrë vendim për pezullimin e grevës deri në janar.
Gjykimi i ish-krerëve të UÇK
Gjykata Speciale e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 26 vjet burg ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën. Në seancën e mbajtur më 16 dhjetor, trupi gjykues i kryesuar nga Mappie Veldt- Foglia ka lexuar aktakuzat ndaj Mustafës dhe dënimet e dhëna për secilën prej tyre. Gjyqtari i Gjykatës Speciale ka thënë se dëshmitarët e Prokurorit të Specializuar, ishin dëshmi të besueshme dhe të mbështetura. Mustafa është arrestuar dhe më pas është transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020. Procesi gjyqësor ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë, 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes. Ish pjesëtari i UÇK-së akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe të gjitha këto dyshohet se janë kryer në Zllash gjatë vitit 1999, në ndërtesën e ndalimit. Në gjykim ndodhen dhe tre ish-kryetar të UÇK-së, përmendim këtu Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin si dhe Rexhep Selimin.
Dhuna ndaj grave
Përdhunimi i një 11-vjeçareje në një park në Prishtinë nga 5 burra për rreth 7 orë shkaktoi indinjatë në të gjithë vendin duke ngritur protesta në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Dragodan të Prishtinës më 27 gusht, ku 5 burra, mes tyre 3 të mitur, kanë dhunuar e përdhunuar një 11-vjeçare për 7 orë në një nga parqet e kryeqytetit. Fillimisht janë arrestuar 4 nga 5 autorët e dyshuar të ngjarjes ndërkohë që i pesti u dorëzua në polici pas 3 ditësh.
Kosova hapi fushatën 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton “as edhe një më shumë”, dy gra u vranë në Prishtinë nga burrat e tyre. Më 25 nëntor një burrë u arrestua për vrasjen e gruas së tij sëpatë në rrethana dhe për motive ende të pasqaruara. Ndërkohë që pesë ditë më vonë më 30 nëntor një grua 35 vjeçare shtatzënë u vra në oborrin e spitaleve të Prishtinës, nga ish bashkëshorti i saj. Vrasjet nxitën reagime në shkallë të gjerë. Por sipas të dhënave nga policia e Kosovës tri gra u vranë nga burrat e tyre në vitin 2022, përgjatë të cilit pati shtim të dhunës në familje.
Po ashtu keqtrajtimi i të moshuarës Minire Nura në qendrën “Orenda” në Pejë ishte një rast që e tronditi jo pak opinionin publik. Në rrjet u bënë virale pamjet nga dhuna e pamëshirshme që infermierja Aurona Pelaj po ushtronte ndaj nënës së dëshmorit të UÇK-së, Taulant Nura. Në video shihej sesi Pelaj dhe 3 kujdestaret në qendrën e azilit ku paguheshin për të punuar, e godasin e përplasin pas murit dhe e përqeshin të moshuarën duke filmuar gjithë skenën e rëndë. Debati për këtë ngjarje ka përfshirë edhe Shqipërinë në lidhje me situatën nëpër qendrat e kujdesit të të moshuarve.