Çfarë ju vjen në mendje kur mendoni për dikë që belbëzon? A është ai mashkull apo femër? A është i dobët dhe nervoz, apo i fuqishëm dhe heroik? Nëse jeni para një zgjedhje, a do të dëshironit të martoheshit me një njeri të tillë, t’ia prezantoni miqve tuaj apo t’i rekomandoni për një punë?
Qëndrimet tuaja ndaj njerëzve që belbëzojnë, mund të varen pjesërisht nga ajo që mendoni se e shkakton belbëzimin. Nëse mendoni që belbëzimi ka shkaqe psikologjike, siç është të qenit nervoz, një studim sugjeron se keni më shumë gjasa të distancoheni nga ata që belbëzojnë dhe t’i shihni më negativisht.
Unë jam vetë një person që belbëzon, dhe kandidat për doktoraturë në shkencat e të folurit, gjuhës dhe dëgjimit. Duke u rritur, u përpoqa që ta fshihja këtë problem që kisha dhe që më pengonte të flisja rrjedhshëm. Kështu i shmanga tingujt dhe fjalët që mund t’i belbëzoja. Po ashtu për të shmangur belbëzimin, shmangia porositjen e ushqimeve që doja të haja në mensën e shkollës.
I kërkova mësueses që të mos më ngrinte në klasë, pasi nuk doja të përballesha me të qeshurat e shokëve të klasës kur të më dëgjonin duke belbëzuar. Ato përvoja më motivuan ta shqyrtoj si eksperte këtë problem, që të mund të ndihmoj njerëzit që belbëzojnë, përfshirë edhe veten time, që ta përballojnë më mirë këtë gjendje.
Tiparet më të dallueshme të belbëzimit janë përsëritjet, zgjatjet e fjalive dhe bllokimet në të folurit e njerëzve. Po ashtu, njerëzit që belbëzojnë mund të përjetojnë tension të muskujve gjatë të folurit dhe të shfaqin sjellje dytësore, si për shembull tiket nervore dhe grimasat. Shpeshherë njerëzit që belbëzojnë reagojnë ndaj përvojës së tyre të belbëzimit me ankth, zhgënjim dhe siklet.
Përveç kësaj, ata vuajnë kur parashikojnë situata kur mund të belbëzojnë, dhe siç bëra unë shmangin tingujt ose situatat. Disa prej tyre mund të zhvillojnë mendime dhe besime negative për veten.
Shkaku i saktë i belbëzimit është ende i panjohur. Megjithatë, është pranuar gjerësisht se kjo dukuri është një çrregullim kompleks neurozhvillimor.
Studimet e neuroimazheve si të fëmijëve ashtu edhe të rriturve që belbëzojnë, tregojnë për një mosfunksionim në zonat e trurit që janë përgjegjëse për kohën e lëvizjeve dhe kontrollin e aftë motorik – siç është prodhimi i të folurit – e quajtur ganglia kortiko-bazale-talamokortikale. Megjithatë, studiuesit e dinë gjithashtu se zhvillimi i trurit mund të formësohet nga përvoja.
Prandaj, anomalitë në lidhjen e trurit midis të rriturve që belbëzojnë, mund të burojnë nga përvoja e tyre e belbëzimit, dhe jo nga ajo që kontribuon në fillimin e tij. Studimet e vazhdueshme, që analizojnë ndryshimet midis fëmijëve dhe të rriturve që belbëzojnë, mund të ndihmojnë në ndriçimin e deficiteve thelbësore që lidhen me fillimin e belbëzimit.
Rreth 1 në 100 njerëz në mbarë botën belbëzon. Rreth 5-8 për qind e fëmijëve të moshës parashkollore zhvillojnë belbëzimin. Shumica e fëmijëve që belbëzojnë – rreth 80 për qind – e marrin veten në mënyrë spontane me ose pa ndërhyrje para moshës 7-vjeçare, ndërsa të tjerët e përjetojnë belbëzimin në moshën madhore.
Studiuesit kanë zbuluar probleme të ngjashme neuroanatomike te fëmijët e moshës 9-12 vjeç që vazhdojnë të belbëzojnë dhe tek ata që shërohen nga kjo gjendje. Por ata që vazhdojnë të belbëzojnë edhe kur rriten, kanë më shumë gjasa të jenë meshkuj dhe të kenë një anëtar të familjes që belbëzon.
Kur belbëzimi fillon në moshë të hershme, raporti djalë-vajzë është rreth 1 me 1. Vajzat që belbëzojnë kanë më shumë gjasa të shërohen sesa djemtë. Për pasojë, raporti mashkull-femër në mesin e të rriturve që belbëzojnë është rreth 4 me 1.
Njerëzit, belbëzimi i të cilëve vazhdon, priren të kenë një performancë më të dobët në të paktën një vlerësim të standardizuar në shqiptimin ose manipulimin e tingujve me fjalë, si për shembull thënia e një fjale pa tingullin e saj fillestar.
Një keqkuptim i zakonshëm për belbëzimin është se ai shkaktohet nga ankthi. Sepse ju mund të vëreni që dikush që belbëzon, mund të mos belbëzojë gjithnjë në të njëjtën mënyrë. Të rriturit që belbëzojnë nuk belbëzojnë kur flasin me veten. Po ashtu ata vetëraportojnë se belbëzojnë më shumë kur presioni është i lartë, kur dëgjuesit janë të pasjellshëm ose kur flasin në telefon.
Por faktorët shkakësorë janë shpeshherë më kompleksë se sa mund të mendoni.
Së pari, vëzhgimi se dy gjëra janë të lidhura midis tyre, si belbëzimi dhe ankthi, nuk do të thotë se njëra shkakton tjetrën. Zakonisht studiuesit nuk e dinë se cili variabël vjen i pari, belbëzimi apo ankthi, dhe as nëse ekzistojnë shpjegime alternative për lidhjen.
Ndërkaq, shumë faktorë përfshihen zakonisht në zhvillimin e çdo çrregullimi kompleks neurozhvillimor. Ndarja e këtyre faktorëve, dhe të mësuarit se si ato lidhen me njëri-tjetrin është sfidues dhe do të duhen shumë vite studimesh. Për shkak se belbëzimi përfshin kryesisht të folurin e paqëndrueshëm, ka të ngjarë që deficitet nervore në rajonet e trurit përgjegjës për prodhimin e të folurit të jenë në rrënjë të këtij çrregullimi.
Megjithatë, hulumtimi tregon për një sërë kushtesh, si faktorët gjuhësorë dhe emocionalë, që mund ta mbajnë belbëzimin gjatë gjithë jetës ose ta shtojnë atë në situata të caktuara.
Hulumtimet tregojnë se belbëzimi konsiderohet zakonisht si një karakteristikë e padëshirueshme, dhe se njerëzit që belbëzojnë janë të diskriminuar dhe shpesh të përbuzur në aspektin social. Shembujt përfshijnë pushimin nga puna, marrjen më pak seriozisht dhe shmangien. Vitet e fundit ka pasur gjithnjë e më shumë tituj për njerëzit që belbëzojnë.
Zgjedhja si president i SHBA-së i Xho Bajden, që belbëzon që nga fëmijëria, ka qenë frymëzues për miliona njerëz që belbëzojnë.
Aktualisht nuk ka një kurë efektive për të folurit duke belbëzuar, kur ai vazhdon deri në moshën madhore. Në një studim të gjerë, më pak se 2 për qind e të rriturve që belbëzojnë edhe në moshë madhore treguan se nuk vetidentifikohen më si dikush që belbëzon.
Prandaj, belbëzimi në moshë madhore nuk është një shenjë e dështimit moral se dikush nuk po punon mjaftueshëm apo me autodisiplinë të mjaftueshme për të folur rrjedhshëm. Megjithatë, rreth 30 pë qind e të rriturve që belbëzojnë kanë thënë se kanë përjetuar shërim, edhe pse rreth 10 për qind e tyre janë riprekur nga kjo gjendje.