MENU
klinika

Kontratë me klauzolë nëse nuk përmbushet objektivi

Ja sa përfiton Sylvinho me stafin e tij!

05.01.2023 - 15:01

Sylvinho firmosi një kontratë 18 mujore si trajneri i ri i Shqipërisë, me objektivin kualifikimin në Euro 2024. Braziliani 48-vjeçar pason Edy Rejën në krye të stolit kuqezi, por do të paguhet shumë më tepër se italiani.

Sipas burimeve të News 24, Sylvinjo dhe stafi i tij pritet të marrin afro 1.1 milionë euro në 18 muaj, me teknikun e parë që do të përfitojë rreth 50 mijë euro në muaj, ndërsa në rast kualifikimi në Evropian do të ketë bonuse shtesë.

Por federata kësaj here është kujdesur edhe për detaje penalizuese në rast mosarritjes të objektivit kryesor. Në rast se Silvinjo dhe stafi i tij nuk ia dalin të shkojnë në Gjermani 2024, atëherë është parashikuar nëpërmjet një klauzole që 25 deri në 30 për qind e kontratës do t’u mbahet nga FSHF.

Me ardhjen e Sylvinhos në krye të stolit kuqezi, pritet që të ndryshohet edhe sistemi i lojës. Deri tani, Shqipëria ka aplikuar një 3-5-2 për më shumë se 3 vite e gjysmë me ish-trajnerin italian Edy Reja. Ndërkohë me nisjen nga puna, braziliani mendohet që të luajë me një vendosje 4-2-3-1.

Një skemë sulmuese e 48-vjeçarit, me të cilën ka përdorur ato pak ndeshje te Lyon dhe gjatë një sezoni te Corinthias në kampionatin brazilian. Këtë sistem loje Silvinjo pritet të aplikojë edhe në ndeshjet e Kombëtares shqiptare. E para mund të jetë një takim miqësor në muajin mars, pak ditë para nisjes së fushatës kualifikuese.