U luajtën vetëm katër ndeshje së fundmi në NBA, ku spikasin fitoret e skuadrave kryesuese në dy konferencat. Ekipi i Boston vijon të ketë rekordin më të mirë në NBA këtë sezon, lider në Lindje, duke fituar edhe 124-95 në fushën e Dallas.
Ndeshje e mirë për Tatum të Celtics, që realizoi një “triple double”, me 29 pikë, 14 rebound e 10 asist. Doncic realizoi 23 pikë për vendasit, por që mbetën për statistikë.
Në Perëndim, Denver e Memphis ndajnë kreun, të dy ekipet fitues në ndeshjet e fundit. Nuggets mundën me lehtësi 122-91 Los Angeles Clippers, ndeshje ku 7 lojtarë për vendasit realizuan mbi 10 pikë, ndërsa 60 pikë erdhën nga stoli.
Ndërkohë Memphis, falë 31 pikëve e 10 rebound të Jackson, mundi 123-115 Orlando Magic. Për Grizzlies, mirë u paraqit i zakonshmi Morant me 32 pikë, duke bërë diferencën në parket. Fitore të rëndësishme për zonën play off mori skuadra e Utah Jazz, që mundi 131-114 Houston Rockets.
Markkanen me 49 pikë ishte më i miri në fushë për Jazz, duke vendosur rekordin e tij personal të pikëve në një ndeshje. Utah vinte pas pesë humbjesh radhazi, ndërsa Houston pësoi disfatën e gjashtë rresht.