Mungesa e dëborës në vendpushimet ku bëhet ski në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut e ka lënë biznesin vendas pa punë, për shkak të mungesës së turistëve.
Në vendpushimin e skive në Brezovicë të Kosovës, të paktë janë njerëzit ndërsa bizneset janë pothuajse bosh.
“Nuk mbaj mend asnjë vit si ky në 30 vitet e fundit. Ndoshta edhe më parë. Dëborë nuk kemi pasur, ka ndodhur disa herë që dëborën e parë e kemi pasur ndoshta në dhjetë ditët e para të janarit, por temperaturat e larta si këto, kjo është hera e parë në jetën time që kam parë plus 5 ose 10 gradë celsius në janar. Hera e parë në jetën time për 30 vitet e fundit”, thotë Igor Nikolcevic, pronar i një restoranti.
Disa turistë nga Shqipëria kishin shkuar në Brezovicë, por pa dëborë për të bërë ski nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të shëtisnin dhe të shikonin pamjen.
Moti i ngrohtë i muajit janar në mbarë Europën vjen për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit, thonë ekspertët.
Meteorologu Besim Aliu thotë se ai pret që temperaturat të ulen dhe dëbora e freskët të bjerë në fund të muajit.
Në Mavrovë të Maqedonisë së Veriut disa biznese po ofrojnë aktivitete të tjera, si për shmebull çiklizëm malor.
“Mund të them se ky do të jetë një sezon katastrofik. Mavrova është qendra më e madhe e skive në Maqedoninë e Veriut. Njerëzit vijnë në Mavrovë për të bërë ski, jo për shëtitje apo për biçikleta”, thotë Ognen Cigovski, Drejtues i Resortit të Skive Bistra./VOA