Kronikë e një vrasjeje me paralajmërim. Kjo është ajo që mund të dyshohet paraprakisht për ngjarjen e rëndë që është zbuluar sot në qytetin e Shkodrës, ku 32-vjeçarja Orjana Gremi ka braktisur në lumin Kir, foshnjen e saj vetëm një javë pasi e ka lindur. Por Dosja ka mësuar se ajo që ka ndodhur është paralajmëruar nga gruaja. 32-vjeçarja ishte e pamartuar.
Ajo jetonte me dajën e saj në fshatin Myselim, komuna e Postribës në Shkodër. Orjana Gremi është paraqitur me dhimbjet e lindjes më 30 dhjetor 2022. Ajo ka lindur atë natë në spitalin e Shkodrës. Burime nga Spitali i Shkodrës, i thanë “Dosja” se gruaja kishte dalë nga materniteti më datë 4 janar 2023.
Në certifikatën e parë të lindjes, fëmijës nuk i është regjistruar atësia. Ndërkohë, që gruaja ka komunikuar me stafin e spitalit, të cilëve iu ka rrëfyer për planin makabër që kishte në plan të kryente. Ajo iu ishte shprehur se fëmijën do ta hidhte në lum pasi nuk kishte ku ta linte. Edhe pse gruaja e ka bërë këtë njoftim, nuk është marrë asnjë masë, si nga Policia e Shkodrës qoftë edhe spitali rajonal për të trajtuar 32-vjeçaren dhe për të ruajtur jetën e fëmijës.
Por gruaja është lënë të dalë nga spitali, ku më pas ka shkuar dhe ka hedhur fëmijën në lumin Kir. Atje, bebja një javëshe është gjetur e mbuluar me batanije dhe plastmas. Ky rast është tejet i ngjashëm me rastin e 29-vjeçares në Greqi, që hodhi foshnjen 11 muajshe në lumin Aliakmonasit në Veria, dhe më pas shkoi të festonte ndërrimin e viteve në hotel.