Pastruesja Rozeta Dobi e cila grabiti një shumë prej 120 mijë eurosh në shtëpinë e zyrtares së Kryeministrisë, Alda Klosi, dyshohet se ka vjedhur edhe banesa të tjera ku ka punuar më herët.
BalkanWeb raporton se Rozeta Dobi ka pasur mbi 5 denoncime për raste të mëparshme për raste vjedhje.
Banesa ku 49-vjeçarja grabiti në bashkëpunim me djalin e saj, Havier Robi, 23-vjeç, shumën e konsiderueshme të parave dhe bizhuteritë e sendet me vlerë, është e ish-shefes së kabinetit të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.
Shtëpia ndodhet në Rrugën e Kosovarëve, ndërsa grabitja dyshohet se ka ndodhur në datën 15 dhjetor kur Alda Klosi ndodhej në Amerikë.
Ka qenë vetë zyrtarja që ka bërë denoncimin në polici për vjedhjen e shumës së parave në këtë datë. Ndërsa banesa e grabitur ishte marrë me qira nga zyrtarja e Kryeministrisë.
Gjithashtu gjatë një kontrolli tjetër në banesën e dy të arrestuarve, policia gjeti 404.800 euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat ishin fshehur në tubin e aspirimit.
Nuk dihet nëse këto para janë grabitur në shtëpinë e Alda Klosit apo në banesa të tjera nga nënë e bir.