MENU
klinika

Nga Ylli Pata

Legjendat e vjedhjeve dhe fshehjes së parave të politikës, si një fabul e gatshme për SPAK

09.01.2023 - 20:29

Ngjarja më e fundit e pastrueses Rozetë, që bashkë me të birin Havier hodhën në publik një fabul mjaft tërheqëse me 500 mijë euro, tub aspirimi, zyrtarë të rëndësishëm etj, mori shkas nga një njoftim zyrtar i policisë që më pas u kthye zyrtarisht në hetim të prokurorisë. Që sot ka marrë edhe vulën nga Gjykata.

Janë të gjitha elementet që kjo histori supertërheqëse të vijohet për të ndjekur paratë e tjera të diferencës 500 mijë euro minus 120 mijë.

Të kujt janë, ku i kishin fshehur, nga i morën, për çfarë i kishin taksur dhe pse nuk i kanë denoncuar?

Natyrisht që sado që mund të jenë shteruese njoftimet mbi hetime nëse zhvillohen, ata kurrë nuk do t’I vënë fre dilemave, pikëpyetjeve, dyshimeve apo fantazitë që ndjellin këto histori alla Sherlock Holmes.

Por sado tërheqëse të jetë personazhi i pastrueses Rozetë, që ngjan si binjake e paligjshme e rrëfimit monumental i Viktor Hygo-së te “Të Mjerët”, mjedisi ynë ka pasur histori edhe më të forta se kaq. Ndoshta nuk ka pasur një Rozetë e një Havier, çka ngjajnë pikantë si emërtime, ngaqë janë rrotulluar emra paksa anadollakë, megjithatë thelbi i fabulës ka qenë tërheqës.

Kështu ka pasur ngjarje e të dhëna për grabitje misterioze të miliona eurove të fshehura në thasë të zinj, në garazhet apo kantinat e fshehta të vilave luksoze.

Madje u fol se grabitjet janë kryer nga skuadra njerëzish që punonin në polici apo agjenci të tjera ligjshbatuese.

Ka pasur gjithashtu mjaft zëra, akuza, madje edhe legjenda urbane për fshehje lekësh nëpër shtëpi, botrume shtëpish, apo nëntokë.

Në Gjirin e Lalzit kanë ndodhur disa grabitje në vila politikanësh apo zyrtarësh të lartë, por nuk ka pasur asnjëherë ndonjë të dhënë zyrtare nga policia apo prokuroria. Madje është folur edhe për një rast të një gërmimi të një kompanie ndërtimi për të ndërtuar një resort në Lalëz, që futi tartakutin tek disa zyrtarë e politikanë të lartë, se po kryhet një operacion gërmimi për të gjetur lekët e fshehura.

Por përveç thashethemeve e legjendave, ka pasur edhe deklarata publike.

Para ca kohësh, Lefter Koka, ish-ministri e deputeti i LSI-së, gjatë një polemike zyrtare me Ilir Metën deklaroi: “Ik tani dhe mbyllu në kafazin tënd në Lalëz dhe mos fli natën, që të ruash arkat që ke fshehur në baçe!”.

E meqë ra fjala, të gjitha këto zëra, deklarata, janë pikërisht një objekt pune i Prokurorisë Speciale kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit-pra SPAK. E cila ka detyrë pikërisht të gjejë paratë që zyrtarët mbajnë të fshehur nga përfitimi i paligjshëm.

Në vitin 1992, grupi “Mani Pulite” i Milanos, hyri në shtëpi ministrash e deputetësh, pasi mori të dhëna nga biznesmenë të ndryshëm, të cilët rrëfyen se kishin thënë rryshfet. Dhe gjetën para në dysheqe, jastëqe e kasaforta.

Në mos të gjitha lekët, të paktën ata “të xhepit për kafe” duhet të jenë diku. Megjithatë, është interesant fakti se për të gjitha ato histori nuk u fol kurrë nga panelet, që duket se kanë një linjë veprimi nga tunelet e Lalzit. Ku bubrrojnë macetat që lëvizin pas disa skalionesh me polici private, roje trupi, kamera e dedektorë për të mos lejuar dronë dhe kamera të afrohen.

Po nëse do të shkojë SPAK bashkë me kamerat, ndoshta paratë i largojnë, por njerëzit arrijnë të shikojnë “një bukuri të fshehur”, për të cilën ka legjenda shumë të mëdha urbane, sesa personazhe që janë kopje e keqe e Hygoit apo Gabriel Garcia Marques-it…