Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka dalë nga ambientet e SPAK, pasi u thirrë për t’u njohur me akuzat e ngritura ndaj tij.
Në hyrje të ambienteve të SPAK, ai ka dhënë edhe një intervistë për mediat, ku ka thënë se akuzat e ngritura ndaj tij janë të motivuara politikisht.
Ai shtoi se është i pafajshëm dhe nuk ka pasur asnjë kontakt personal me bizneset që merreshin me demontimin e armëve, që sipas tij ishte pjesë e sigurisë kombëtare.
“Motivimi politik është në akuzën që është bërë. Nuk është urdhëri i ministrit që ka shkaktuar problemin. Nëse ministri nuk këshillohet me VKM-në dhe drejtuesit ushtarakë, nuk është ministër. Ajo që mu paraqit është fashikulli i firmosur nga prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme. Çështja e demontimit të armëve është çështje e sigurisë kombëtare. Unë jam i pafajshëm. Unë thash që jo vetëm që nuk e pranoj akuzën, por të paktën duhet të jem një person që të pyetem për veprimet e mia. Nëse ka ndonjë kontakt timin ose familjen time me biznesmenët që kishin marrë në dorëzim demontimin e armëve, unë marr çdo përgjegjësi”, është shprehur Mediu.