MENU
klinika

Nga Dritan Hila

E vjedhura dhe e rrahura, nuk harrohen!

12.01.2023 - 18:12

Me sensin e të pastajmes, shumë demokratë mendojnë se pas videos që çoi në ngjarjet e 21 janarit, Berisha duhet të prishte koalicionin me Ilir Metën dhe shpallte zgjedhjet e parakohshme. Logjika e tyre mban. Prishja e koalicionit do ta ndante PD-në nga një aleat që po e fundoste me tahmanllëkun e tij. Edhe në rast humbje, do të ishte fitore morale dhe do krijonte precedentin e rrëzimit të qeverisë kur bën skandale, ç’ka do ta ndihmonte në të ardhmen e afërt PD edhe nëse humbiste. Dhe gjithashtu mendonin se edhe nëse humbnin, pasi elektorati nuk do ta vlerësonte aty për aty kartën morale të PD, socialistët do gjendeshin të papërgatitur për zgjedhje. Por mëngjesin kur duhet të shpallte prishjen e koalicionit, Berisha foli për arrorët dhe vazhdoi bashkëqeverisjen, që pas atij çasti e futi në qerthullin e bashkëpunëtorit në krim. Përfundimi dihet.

Sot Ramës po i plas një skandal pas tjetrit. Pa kaluar tre ditë nga skandali ku shefes së kabinetit të Arben Ahmetaj i vidhen paratë dhe ajo deklaron shumën e cila është 12 herë më e madhe nga ajo që lejon ligji për të mbajtur në shtëpi, sekretari i përgjithshëm i ministrisë së financave kapet në një aferë tjetër korrupsioni.

Vetë Rama i ka hapur rrugë hetimeve duke i lënë dorë të lirë prokurorisë. Por kjo nuk mjafton. Prokuroria është qen i rrahur dhe nuk guxon të ngjitet tek politikanët edhe kur ata janë me brekë nëpër këmbë si Ahmetaj. Pjellë e një populli që teoritë komplotiste janë bukë e përditshme, edhe prokurorët mendojnë se këto janë lojëra të Ramës. Në fakt hajdutllëku në administratë vjen nga mospërfillja e Ramës për t’u marrë me këtë aspekt. Dhe në këtë rast është Rama që duhet t’i inkurajojë prokurorët për arrestime. Ahmetaj është rasti më flagrant ku në vend që t’i hidhen hekurat Klosit dhe Ahmetaj si bashkëpunëtorë në korrupsion, rrinë e furnizojnë publikun me hetimet e një hajduteje ordinere.

Qeverisja e Ramës nuk është në teh të thikës si ajo e Berishës e cila varej nga numrat e Metës. Rama nuk ka nevojë të kalojë në zgjedhje të parakohshme që të vërtetojë nëse elektorati e beson pasi në gjendjen që është opozita, fitorja do të jetë një shëtitje për PS. Por Ramës i duhet karta morale e qeverisjes, dhe kjo fillon nga arrestimet e këtyre tipave që nuk i njeh asnjeri por që qarkullojnë miliona të cilat i quajnë të tyret; të shtëpive ku banojnë dhe që i kanë me tepri e deri tek furistradat që drejtohen nga ca femra të mbytura nga silikoni me tabela qeveritare në kroskot.

E vjedhura dhe e rrahura nuk harrohen është një shprehje e urtë. Por sidomos këto vjedhje që të heqin lëkurën e shtatë Edi Rama e ka për detyrë që të tregojë që nuk ka dorë. Dhe kjo fillon duke plasur në burg gjithë spitullaqët që po na vjedhin e rrahin përditë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN