MENU
klinika

Tërmeti i fortë në Klos

Kryebashkiaku: Kemi marrë 22 kërkesa për verifikim

16.01.2023 - 11:08

Tërmeti i një dite më parë me magnitutë 4.7 ballë ka shkaktuar dëme në disa banesa në zonën e Klosit.

Kreu i kësaj bashkie, Ilmi Hoxha bëri me dje se deri më tani janë bërë 22 kërkesa për verifikim të banesave që kanë pësuar dëmtime.

Në përgjithësi ai tha se situata është aktualisht e qetë, ndërsa grupet e emergjencës ndodhen në terren.

“Situata deri tani vijon të jetë me 22 kërkesa për verifikim në banesa familjarësh, në objekte shtetërore për momentin nuk kemi asnjë kërkesë. Situata në tërësi është e qetë nuk ka problematika të mëdha. Grupet e punës gjatë natës kanë qenë në terren. Kryesisht dëmet janë plasaritje muresh, rënie tavanesh, oxhaqesh. Deri në këtë moment kemi 22 kërkesa për verifikim objektesh”, u shpreh ai për News24.

Ndërkohë lidhur me rastin e një familje e cila është rikthyer në banesën e dëmtuar nga tërmeti i 2019 dhe të shpallur të pabanueshme, ai u shpreh se familjet që kanë pasur dëme nga lëkundjet e këtij viti janë kompensuar me para ose me bonus qiraje.

“Jam në dijeni të problematikës që ka ndodhur me tërmetin e 2019, sikurse parashikohet në aktet ligjore, nga strukturat e bashkisë janë bërë të gjitha dokumentacionet sa i përket familjeve që kanë pasur problematikë me tërmetin. Familjarët e bashkisë Klos kanë tërhequr në numrin e llogarisë së tyre të gjithë vlerën e shkaktuar nga këto tërmete. Në ato banesa nuk duhet të jetonin dhe janë trajtuar me bonus qiraje. Vendosja e çadrave është bërë në kohën e emergjencës, në momentin kur ka ndodhur problematika.

Nëse janë kthyer në banesat që janë shpallur të pabanueshme, kanë marrë përsipër përgjegjësinë, por kjo nuk do të thotë që nuk duhen asistuar nga ne”, tha Hoxha.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Tërmeti i fortë që “shkundi” Shqipërinë

Sa ishte magnituda e pasgoditjeve gjatë natës