Arrestohet pas 30 vitesh në arrati, bosi i mafies siçiliane, Matteo Messina Denaro, raporton agjensia e lajmeve italiane ANSA nga burime të sigurta.
Mësohet se Matteo Messina Denaro është arrestuar brenda një klinike private në Palermo.
Hetuesit kishin rënë në gjurmët e bosit të mafies i cili ndodhej në këtë klinikë mjekësore private në pritje për t’iu nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale.
Hetimi që çoi në arrestimin e bosit mafioz u koordinua nga prokurori i Palermos, Maurizio de Lucia dhe zëvendësprokurori Paolo Guido.
Në foton më lart duket imazhi i numrit një të Cosa Nostra, Matteo Messina Denaro, marrë nga një kamera sigurie, raporton Ansa.
Kush është Matteo Messina Denaro
Ai është djali i bosit të vjetër mafioz të Castelvetrano (Trapani) Ciccio, aleat historik i korleonezëve të Toto ‘Riina.
Ai ishte arratisur që nga vera e vitit 1993, kohë kur në një letër i shkroi të dashurës së tij në atë kohë, Angela, pas masakrave mafioze të kryera në Romë, Milano dhe Firence, dhe e paralajmëronte:
“Do të dëgjoni për mua. Ata do të më pikturojnë si një djall, por të gjitha janë gënjeshtra” – i shkruante ai, duke lënë të kuptohet se ishte i vetëdijshëm që menjëherë pas kësaj emri i tij do të lidhej me gjakderdhje dhe masakra të tjera të tmerrshme.