Më 18 janar të vitit 1919 nisi punimet Konferenca e Paqes në Paris, e cila bëri bashkë fuqitë aleate fituese të Luftës së Parë Botërore (1914-1918). Ajo ishte e para e këtij lloji për nga formati i pjesëmarrësve dhe çështjet e ngutshme që prisnin zgjidhje. Konferenca zgjati me intervale deri më 21 janar të vitit 1920.
Synimi parësor ishte vendosja e një rregulli të ri botëror, për të parandaluar një konflikt të radhës të një dimensioni të këtillë. Ky zhvillim i arenës ndërkombëtare, qe edhe shtysë për vizitën e parë në Evropë të presidentit amerikan, Woodrow Wilson, i cili shpërfaqi 14 pika në drejtim të rendit të pasluftës. Në pikëpamjen e parashtruar prej Willsoni-t, spikaste parimi i vetëvendosjes së kombeve, krijimi i një organizate ndërkombëtare për garantimin e paqes, si dhe kufizimi i armatimeve.
Shqipëria, e cila gjatë Luftës së Parë Botërore ishte kthyer në një shesh betejash midis palëve kundërshtare, dërgoi në dhjetor delegacionin e qeverisë së Durrësit në Paris, të kryesuar nga kryeministri i atëhershëm, Turhan Pasha. Krahas kësaj përfaqësie zyrtare, në Konferencë qenë pjesëmarrës edhe delegacione të tjera nga kolonitë shqiptare jashtë atdheut, si nga Federata Panshqiptare “Vatra” (SHBA) si dhe të tjera nga Turqia, Rumania, Zvicra etj.
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një dokument me anë të të cilit Parashqevi Qiriazit njoftonte në revistën “Ylli i Mëngjezit”, lidhur me vendimin e saj për t’iu bashkuar punimeve të Konferencës.
Qiriazi ishte e vetmja veprimtare grua e pranishme në Paris, për të evokuar mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar