MENU
klinika

Çështja Kosovë-Serbi

Meta flet për Shqipërinë: Kundër ndryshimit të kufijve

06.12.2018 - 21:05

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka folur lidhur me idenë e ndryshimit të kufijve mbi baza etnike, për të cilën është shprehur se është kundër.

Sipas tij mes Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm një dialog efektiv dhe jo fiktiv.

“Në vlerësimin tim është e domosdoshme që dialogu midis Serbisë dhe Kosovës të jetë i vërtetë.

Të mos jetë fiktiv. Sikurse rezulton, për fat të keq, që ka qenë për një kohë të gjatë.

Dhe të dyja palët të krijojnë vullnetin pozitiv për të njohur realitetin e njëra-tjetrës dhe njëkohësisht për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare asaj situate, në të cilën ndodhen shumë qytetarë.

Pavarësisht nga përkatësia etnike, serbe apo shqiptare, për shkak të këtyre marrëdhënieve.”

Lidhur me vendimin e marrë në kushtet e këtyre negociatave Meta thotë:

“Ky është një vendim që duhet kuptuar në kontekstin e kësaj që unë thashë. Pra, që kemi patur një dialog joefektiv, i cili duhet të kishte sjellë një progres tjetër në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe që do të duhet që ky dialog sa më shpejt të fillojë të jetë efektiv dhe të dy palët të tregojnë një vullnet reciprok.”

Presidenti ka folur gjithashtu edhe për situatën në veri të Kosovës. 

“Situata në veri të Kosovës unë mendoj që është e qartë. Serbia nuk i ka bërë të gjitha përpjekjet e duhura, kjo do ishte shprehja më e përmbajtur nga ana ime, për t’i inkurajuar dhe në kuadër të dialogut të saj me Kosovën, serbët e Kosovës për të marrë pjesë në institucionet e Kosovës.

Acarimi artificial i kësaj situate është i papranueshëm dhe nuk mund të legjitimojë asnjë veprim të njëanshëm në të ardhmen nga askush.

Është tepër e rëndësishme për të kuptuar që Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës dhe duhet të jetë në mënyrë integrale pjesë e Bashkimit Europian dhe nuk mund të jetë kurrsesi një hapësirë, ku mund të bëhen eksperimente, të cilat përdoren më pas si precedent në rajone të tjera.

Unë kur mbaj qëndrimet e mia i referohem qëndrimeve të Republikës së Shqipërisë dhe qëndrimet e saj kanë qenë dhe janë të qarta e të kristalta e të parishikuara nga asnjë institucion në vend, përfshi edhe Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Shqipëria është kundër idesë së ndryshimeve të kufijve, se Shqipëria është për heqjen e kufijve në Ballkan, ashtu si në Bashkimin Europian.”