Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po kritikohet pasi nuk ka reaguar ende për vërshimet në vend, që ua kanë rënduar jetën shumë qytetarëve. Megjithatë, disa deklarata të saj, jo për vërshimet, por për zhvillimet në vend, janë publikuar në një intervistë dhënë për një gazetë italiane.
Ajo ka dhënë një intervistë, ku çfarë vërehet janë përgjigjet aspak të gjata, pa elaborim e pa ndonjë prapavijë kontekstuale. Osmani ka qenë në mënyrë karikaturiale e shkurtër.
Presidentja Osmani për gazetën “Il fatto quotidiano”, ka thënë se është shumë e shqetësuar për situatën në veri. Kryetarja e shtetit ka thënë se Beogradi po tenton ta destabilizojë rajonin, dhe se qëllimi i tyre, është që të shkatërrohet paqja dhe stabiliteti.
“Aleksandër Vuçiç, ai i organizoi (barrikadat), ka krijuar grupe kriminale dhe po i financon ato, komandon dhe u jep urdhra,” – ka thënë ajo.
Gazetari që i intervistoi, i tha presidentes: Jeni më precize.
“Ai po promovon lindjen e grupeve paramilitare në stilin Wagner, po u shpërndan armë. Këto grupe, të sponsorizuara nga Beogradi, janë duke ndërtuar llogore dhe jo vetëm barrikada apo pengesa në rrugë, por pozicione të vërteta lufte,” – tha mes tjerash.
Presidentja Osmani përmendi shkëmbimin e territoreve, duke thënë se nuk mund të dialogohet për një çështje të tillë.
“Asnjëherë shkëmbim të territoreve, asnjëherë nuk do t’i jipet një pjesë e Kosovës, Serbisë, këto janë skenare të çmendura dhe jologjike. Nuk do t’i japim asnjë pëllëmbë të tokës atyre që kryen gjenocid në Ballkan,” – shtoi Osmani.
Pyetur se çfarë do të bëhet më shumë për shtetin, i cili mbush 15 vjet pas një viti, presidentja i kërkoi gazetarit italian që “t’i lënë të punojnë”.
“Ne duam të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, ne veç se jemi duke luftuar korrupsionin dhe rezultatet e para kanë filluar të duken. Ne po ashtu do të dëshironim që të anëtarësohem në NATO, derisa misioni i KFOR-it duhet të qëndrojnë,” – shtoi ajo.
Në fund, Osmani u pyet edhe për marrëdhëniet Kosovë-ShBA, por u përgjigj tepër shkurt: Marrëdhëniet me ShbA-në janë të shkëlqyeshme, do të jemi gjithmonë mirënjohës ndaj tyre, si ndaj Italisë.
Rreth orës 18:32, dje, derisa shumë ekipet e urgjencës, dhe shumë gazetarë po raportonin nga terreni dhe nga rajonat që janë vërshuar, sidomos në Skenderaj, Osmani shkroi për dorëheqjen e kryeministres së Zelandës së Re. Postimi i fundit në Facebook, është bërë më datë 17 janar, ndërkohë as në llogarinë e presidencës nuk është thënë diçka për vërshimet.
Por pak më herët, zëdhënësi i presidencës, Bekim Kupina ka reaguar ndaj kritikave që i janë bërë asaj, për mosreagimin ndaj situatës me të cilën po përballen qytetarët.
“Që nga dita e djeshme, Presidenca vazhdimisht ka qenë në kontakt me institucionet relevante për t’u siguruar se ekziston mobilizim i plotë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet në komunat e Republikës së Kosovës. Presidentja poashtu ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me Qeverinë në mënyrë që të vlerësohet dëmi i bërë dhe të minimizohen pasojat në ekonomi familjare, biznese dhe në bujqësi,” – ka thënë ai./Nacionale