MENU
klinika

Agroindustria në vështirësi

Hyrja në fuqi e kritereve të reja, çfarë parashikohet për vitin 2023

21.01.2023 - 11:32

Kostot e larta të prodhimit do të vazhdojnë në vitin 2023, konsumi do të ulet për shkak të shtrenjtimit të çmimeve të produkteve të bulmetit dhe informaliteti i lartë do të vijojë – janë parashikimet për ecurinë e sektorit, sipas drejtorit ekzekutiv të Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit Donjaldo Hoxha.

“Në sektorin e prodhimit dhe përpunimit të qumështit në 2-3 vitet e fundit ka pasur shumë ndryshime dhe situata të paparashikuara. Janë rritur të gjitha kostot, duke filluar nga lënda ushqimore për kafshët dhe duke vazhduar me çmimin e qumështit që blihet nga fermerët, energjia elektrike, nafta, gazi, lëndët paketuese, etj.

Për këto arsye, është e vështirë që të bëhet një parashikim i saktë për atë se çfarë e pret industrinë e përpunimit të qumështit në vitin 2023. Ajo çfarë mund të pohojmë është se, së pari, nëse nuk do të ketë ndërhyrje nga instancat përkatëse për t’i dhënë blegtorisë buxhetin dhe skemat e duhura të subvencionimit si rajoni, atëherë edhe në 2023, numri i krerëve do të jetë në rënie, duke sjellë për pasojë edhe rënien e sasisë së prodhuar e qumështit.

Së dyti, nëse nuk do t’i kushtohet rëndësia e duhur informalitetit në sektorin e përpunimit të qumështit, atëherë siguria ushqimore do të vazhdojë të jetë në rrezik dhe mbi të gjitha informaliteti do të vazhdojë t’u ofrojë produkte jo të sigurta konsumatorëve. Informaliteti duhet të jetë fokusi i vitit 2023 në sektorin e përpunimit të qumështit, nëse duam që ky sektor të zhvillohet dhe t’i mbijetojë situatës së vështirë që jemi duke kaluar.

Së treti, presim rritje të presionit edhe më shumë nga produktet e importit dhe shtimin e pranisë së tyre në raftet e marketeve dhe supermarketeve tona, sepse ata kanë lëndën e parë më të lirë (qumështin e freskët), më shumë subvencione dhe politika mbështetëse ndaj fermerëve, çmim më të mirë të energjisë elektrike, gazit, naftës, etj”.

Një sërë problematikash do të vijojnë të jenë të pranishme edhe në vitin 2023, në sektorin e përpunimit të qumështit.

“Parashikojmë se edhe në vitin 2023, sektori i përpunimit do të përballet me informalitet nga baxhot e palicencuara dhe qumështi i rrugës, që do të vijojnë të dëmtojnë rëndë sektorin dhe mbi të gjitha, cenojnë në vazhdimësi sigurinë ushqimore.

Problematikë tjetër mund të jetë rënia e fuqisë blerëse për produktet e prodhuara nga sektori, nëse çmimi i qumështit që blihet nga blegtorët do të vazhdojë të jetë më i larti në rajon. Subvencionimi i ulët i blegtorëve në krahasim me rajonin. Çmimi më i lartë në rajon i qumështit të freskët që blihet nga blegtorët.

Braktisja e mëtejshme e blegtorisë për shkak të kostove të larta dhe mungesës së subvencioneve. Pa mundësi për të qenë në një konkurrencë të drejtë me produktet e importit, për shkak të avantazhit me kostot e lira që ata kanë”, pohon z. Hoxha.

Rritja e kostove prodhuese, veçanërisht shtrenjtimi i lartë i çmimit të qumështit nga blegtorët ndikoi te rritja e çmimeve deri 40% vitin e kaluar. Por a pritet të ketë rritje të çmimeve të produkteve të bulmetit në vitin 2023?

Sipas Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit, deri tani, barrën më të lartë të rritjes së kostos e kanë mbajtur kompanitë, por nuk dihet edhe sa do të zgjasë situata.

“Kostot e sektorit tashmë janë shumë të larta dhe për disa operatorë, edhe të papërballueshme. Deri në këto momente, është bërë një sakrificë e madhe nga sektori i përpunimit të qumështit për të pasur çmime sa më të përballueshme për konsumatorin shqiptar.

Pra kompanitë kanë mbajtur barrën më të madhe të rritjes së kostove operative dhe çmimit të qumështit nga fermerët, por nuk dihet sa kohë mund të vazhdohet të bëhet një gjë e tillë.

Nëse nuk do të luftohet informaliteti, nuk do të rritet subvencionimi ndaj blegtorëve, nëse nuk do të ketë ulje të kostove operative (energji elektrike, naftë, gaz, materiale paketuese), nëse nuk do të ketë lehtësi fiskale (TVSH 6% në shitje), nuk do të ketë masa dhe politika që mbrojnë prodhimin dhe produktin vendas, atëherë secila kompani do të bëjë analizat e thelluara dhe llogaritjet e veta, për të parë nëse mbijeton dot në këtë sektor apo jo, nëse i duhet të operojë me çmime të reja, apo jo, nëse mund të gjejë zgjidhje të tjera apo jo”.

Operatorët pohojnë se konsumatorët nuk mund ta përballojnë rritjen e çmimeve, pasi do të ndikonte në thellimin e tkurrjes së konsumit. Në vitin 2023 parashikohet të ketë rritje të çmimeve të produkteve të bulmetit të deles dhe dhisë, pasi qumështi i prodhuar në pranverë pritet të jetë me çmim të lartë.

Kërkesat e Shoqatës së Industrisë së Përpunimit të Qumështit janë të njëjtat edhe në vitin 2023, që janë sugjeruar vazhdimisht për të përmirësuar situatën e sektorit.

Industria e përpunimit të peshkut, në kolaps nga përfundimi i kuotave

Operatorët e përpunimit të peshkut parashikojnë vijimin e kolapsit të sektorit në vitin 2023, për shkak të përfundimit të kuotave që në muajin gusht të vitit të kaluar.

Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë drejt Europës rreth 1,600 tonë peshk të përpunuar, açuge të konservuar dhe 100 tonë sardele.

Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, që prej vitit 2015 kuotat e eksportit përfundojnë që në muajt shtator apo tetor. Në vitin 2022 është përsëritur situata e vitit 2016, ku sërish kuotat janë përmbushur që në muajin gusht. Pas plotësimit të kuotave produktet taksohen me 25% të vlerës.

“Industria e përpunimit të açuges dhe sardeles për eksport është në prag falimentimi dhe kjo për shkak të pamundësisë së shtetit për të negociuar kuotat e lejuara të eksportit. Industria e përpunimit të peshkut është zhvilluar dhe është rritur, por nëse nuk arrijmë të furnizojmë tregun e huaj, pra nuk shesim, rrezikojmë falimentimin.

Në vitin 2022, kuotat e lejuara kanë përfunduar që në gusht, ndryshe nga vitet e kaluara kur përfundonin në shtator. Për këtë industri, viti 2023 fillon me një situatë të vështirë. Duke qenë se shteti e ka të pamundur të negociojë kuotat, duhet të frenojë dhënien e licencave të reja për këtë sektor, pasi përfundimi do të jetë katastrofik”, pohoi një nga operatorët e industrisë.

Për shkak të taksave të larta pas përfundimit të kuotave të lejuara për eksport, operatorët janë të detyruar ta mbajnë stok mallin e marinuar, pasi siç shprehen ata, tregu i huaj nuk ka interes për produkt me çmim të lartë. Për një dërgesë në vlerën 200 mijë euro, eksportuesit shqiptarë do t’i kushtojë 50 mijë euro taksa doganore.

Momentalisht ato kanë operuar duke importuar produkt gjysmë të gatshëm, por me ligjet e reja europiane, çdo kategori produkti do të taksohet. Kërkesa e industrialistëve shqiptarë është zgjerimi i kuotave me BE-në deri në 4,000 tonë, mirëpo negociatat midis shtetit shqiptar dhe BE-së kanë mbetur në vend.

Bashkimi Europian nuk ka pranuar kërkesën e përsëritur të Shqipërisë për shtimin e kuotave të eksportit të açuges pa tarifë që përpunohet në vend, pasi zgjerimi rrezikon mbylljen e fabrikave në Europë dhe redukton të ardhurat e tyre.

Kjo industri prej vitesh po vuan mungesën e rishikimit të kuotave për eksportin e açuges drejt vendeve të BE-së pa tarifë doganore. Aktualisht industria operon me dy kategori produkti; produkt gjysmë i gatshëm, i cili shërben si lëndë e parë për prodhuesit europianë dhe produkt përfundimtar, të cilat janë konservat me peshkun açuge.

Ngërçi është krijuar, pasi në treg janë zgjeruar dhe kompanitë që funksionojnë si fason, pra përpunojnë lëndën e parë për llogari të industrialistëve europianë, kryesisht italianë, dhe taksohen vetëm mbi vlerën e punës. Në bazë të këtij regjimi, importohet peshk i papërpunuar, kryesisht nga Kroacia, Italia, Spanja dhe Argjentina, i cili përpunohet dhe ambalazhohet në Shqipëri, dhe eksportohet në BE.

Shkalla e përpunimit të bimëve mjekësore në Shqipëri është e ulët, për shkak të mungesës të investimeve.

Në tërësi, sektori arrin të përpunojë në produkt final 25% të prodhimit, ndërsa 75% eksportohet si lëndë e parë.

Hyrja në fuqi e kritereve të reja për aplikim të fondeve të BE-së nga kompanitë eksportuese të bimëve mjekësore në vitin 2023, pritet t’i japë frymëmarrje sektorit, sipas kryetarit të Shoqatës të Bimëve Medicinale, Filip Gjoka.

Si e parashikoni vitin 2023 në sektorin e grumbullit dhe eksportimit të bimëve mjekësore dhe aromatike?

Parashikimi i vitit 2023 për sektorin e grumbullimit dhe eksportit të bimëve mjekësore është optimist, pasi bazuar në të dhënat e deritanishme, viti 2022 po mbyllet me rritje të eksporteve 6% në raport me vitin 2021.

Ajo ka ardhur për shkak të rritjes së transportit dhe çmimeve të produkteve nga kostot dhe të kërkesës së tregut, duke u bazuar në vitet e mëparshme dhe kërkesa e lartë për shumë artikuj. Kërkesa për dëllinja të zeza që prodhon xhinin është rritur me 30%.

A e vuan ende sektori mungesën e investimeve për të rritur kapacitetet përpunuese?

Sektori i bimëve mjekësore dhe erëzave në Shqipëri ka nevojë për rritjen e kapaciteteve përpunuese, pasi gati 25% e tyre eksportohen si produkt final dhe 75% eksportohet si lëndë e parë.

Industria vijon të vuajë mungesën e investimeve, pasi siç e kam theksuar edhe më parë, edhe ato investime që janë realizuar me projektet e BE-së dhe granteve të qeverisë nuk kanë dhënë efekt te kompanitë në rritjen e përpunimit, pasi janë dhënë në mënyrë të padrejtë.

Nëse investimet për sektorin do të ishin më të larta, do të mundësohej rritja e vlerës së produktit, duke e bërë më konkurrues në tregjet botërore dhe duke i dhënë vlerë të shtuar sektorit. Totali i eksporteve në vitin 2022 është deri në 62 milionë USD. Por nëse do të kishim më tepër investime, vlera e tyre do të rritej 30 deri në 40% më shumë.

Mungesa e laboratorëve të akredituar për kryerjen e analizave të një game të gjerë të bimëve mjekësore të prodhuara në vend për t’u eksportuar ka rritur vështirësitë te kompanitë shqiptare. Në Shqipëri funksionon vetëm një laborator privat i akredituar për kryerjen e analizave specifike për bimët mjekësore që eksportohen jashtë.

Pamundësia për të kryer analiza në përputhje me kërkesat e shtuara të vendeve të BE-së ka sjellë për pasojë kthimin mbrapsht të shumë kamionëve me bimë mjekësore.

Për shkak të kësaj mangësie në vitin 2022 janë ndaluar të eksportohen drejt vendeve të BE-së, kryesisht Gjermanisë, 50 kamionë me bimë medicinale. Kjo problematikë ka shtuar kostot e kompanive eksportuese, ndaj është e domosdoshme që në vitin 2023, në vend të akreditohen laboratorë shtetërorë, si pranë Universitetit Bujqësor të Kamzës apo AKU për kryerjen e këtyre analizave.

Çfarë parashikohet të ndodhë në sektor në vitin 2023 me hyrjen në fuqi të kritereve të reja për aplikimin e fondeve të BE-së nga kompanitë eksportuese të bimëve mjekësore?

Po presim me padurim implementimin e fondeve të BE-së, pasi sektori i bimëve mjekësore ka qenë i diskriminuar nga mbështetja e këtyre fondeve. Kompanitë me xhiro deri në 2,4 milionë dollarë nuk mund të aplikonin për fondet mbështetëse të BE-së.

Nga 2023, falë këmbënguljes së Shoqatës, me vendimin e ndryshuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe ekspertëve të BE-së, operatorët me xhiro deri në 11 milionë dollarë kanë të drejtë të aplikojnë për fondet e BE-së, skemë e njëjtë si për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut apo Poloninë.

Këto ndryshime pritet të krijojnë mundësi për rritje investimesh për kompanitë promotore të grumbullimit dhe eksportit të bimëve mjekësore, që nuk kanë arritur deri tani të thithin fonde nga dy projektet e mëparshme të BE-së. Në periudhën 2023-2030, shkalla e përpunimit të produktit final do të rritet për shkak të investimeve.

Këto investime pritet të rrisin mekanizimin e punës në fabrikat përpunuese, duke u dhënë një vlerë të shtuar produkteve shqiptare, që aktualisht po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore, si në grumbullim, edhe përpunim.

Lëvizja nga fshati dhe qyteti dhe emigrimi i madh i popullsisë, ka ulur kultivimin e bimëve, për mbledhjen e bimëve në zonat malore. Në rast se emigracioni i popullsisë do të thellohet në vitin 2023, zgjidhje e sektorit mbetet vetëm shtimi i kultivimit të bimëve mjekësore./monitor