MENU
klinika

E motra i drejtohet Ramës: Ke 30 muaj që hesht!

Familjarët e Saimir Sulës paralajmërojnë protestë në Bruksel

22.01.2023 - 18:15

Familjarët e Saimir Sulës, të riut shqiptar që humbi jetën në një spital në Spanjë kanë protestuar sot para ministrisë së Drejtësisë, ku kërkojnë nga qeveria shqiptare zbardhjen e të vërtetës.

Motra e Saimirt, Majlinda iu drejtua kryeministrit Rama, i cili siç tha ajo “ka 30 muaj që hesht”, ndërsa paralajmëroi se në fillim të shkurtit do të organizojnë edhe një protestë në Bruksel, për zvarritje të çështjes.

“Gazeta më e madhe spanjolle më datë 19, tregon historinë e Mihal Kokëdhimës. Mihal Kokëdhima trembi dy turistë. Zoti Rama ju vonuat tre dite për ta zgjidhur këtë çështje me dy turistë spanjollë. Gazeta shkruan sërish pas 3 ditës, 22 gusht 2019 ju e kishit zgjidhur këtë çështje. Zoti Rama ke 30 muaj që ke heshtur. Turp! Ne nuk do ndalemi kurrë, sado e vështirë të jetë kjo çështje. Ne bëme edhe një protestë në Barcelonë dhe po organizojmë sërish një protestë në Bruksel. Kemi menduar që të dielën e parë të shkurtit do të protestojmë ne Bruksel, për zvarritjen e çështjes”, u shpreh motra e Saimirit.

E motra po ashtu dyshon per trafik organesh: “Ministri nuk ka kohë për një rast të trafikut të organeve. ADN kërkon familja, kemi 30 muaj që e kërkojmë. Në momentin që heshtin të gjithë institucionet unë kam të drejtën time të mendoj që Shqipëria dhe Spanja janë lidhur dhe kanë komunikuar. Rama dhe Sançes fshehin. Kjo heshtje të bën të dyshosh shumë gjera. Nuk di cfarë manipulimi mund të ketë. Nuk mund të kërkosh ADN e një zemre të bëhet në Spanjë kur ti si shtet akuzon Spanjën për trafik organesh. Zemra e Saimirit nuk ndodhet në Barcelonë, sepse po ta kishin në një laborator do bënin një ADN, nuk do zvarriteshe”.

Ajo thotë se janë të bindur se Samirin e kanë vrarë, ndërsa tregon edhe bisedën e fundit me të vëllain.

“Ne jemi të bindur që Saimiri u vra në spital në Barcelonë. Saimiri me telefoni dhe më tha, ‘Majlind hajde më merr se po më vrasin’. Kur unë mbërrita kishin kryer punë, e kishin vrarë. Kam një telefonatë zoti Rama, kam një telefonat në tru. Çdo mëngjes dhe çdo darkë unë kam këtë telefonatë në tru. Majlind hajde se po më vrasin”.