MENU
klinika

Inflacioni bazë u rrit përsëri në dhjetor

Rreziku i çmimeve të larta është ende i pranishëm

23.01.2023 - 09:25

Inflacioni bazë u rrit sërish në muajin dhjetor, duke dëshmuar se rreziqet nga çmimet e larta për ekonominë ende nuk janë në një rrugë të qëndrueshme rënëse. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për dhjetorin inflacioni bazë u rrit në 8.42%, nga 8.3% që kishte qenë për muajin nëntor.

Për muajin nëntor, ky tregues kishte pësuar rënie për herë të parë në 10 muaj dhe pritej që sinjalet pozitive të gjenin konfirmim edhe në dhjetor. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe kjo tregon se “beteja” e Bankës së Shqipërisë për të zbutur inflacionin e lartë do të kërkojë përpjekje të mëtejshme.

Inflacioni bazë është indikatori kryesor orientues në vendimmarrjen e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë. Ky tregues mat ndryshimin e çmimeve në ekonomi, duke përjashtuar ato produkte që për nga natyra e tyre kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike. Qëllimi i inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga efektet e goditjeve të ofertës apo nga faktorë të tjerë me ndikim afatshkurtër.

Ngadalësimi i inflacionit bazë në tremujorin e fundit 2022 dhe madje rënia e tij gjatë muajit nëntor i lejuan Bankës së Shqipërisë të bënte një “pauzë” në rrugën e normalizimit monetar. Në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të muajit dhjetor, Banka e Shqipërisë e mbajti të pandryshuar normën bazë në 2.75%, pasi e kishte rritur për tre herë radhazi me 0.5% në mbledhjet e mëparshme.

Ky frenim i dha një lloj frymëmarrjeje tregut financiar dhe veçanërisht tregut primar të Bonove dhe Obligacioneve të Qeverisë shqiptare. Prej muajit dhjetor, yield-et nisën një korrektim në rënie, pas rritjes shumë të shpejtë që kishin pësuar veçanërisht në periudhën gusht-nëntor.

Por, rritja e inflacionit bazë në dhjetor është një sinjal se ndoshta rritja e normave të interesit do të rifillojë përsëri së shpejti. Në parim, Banka e Shqipërisë e ka bërë të qartë se kontrolli i inflacionit dhe ulja e tij pranë objektivit prej 3% do të kërkojë një rritje të mëtejshme të normave të interesit.

Kthimi i rritjes së inflacionit bazë në dhjetor mund ta bëjë këtë rritje të afërt. Mbledhja e parë e Këshillit Mbikëqyrës me objekt vendimmarrjen e politikës monetare pritet të zhvillohet në muajin shkurt.

Të dhënat e INSTAT treguan se për muajin dhjetor inflacioni mesatar në ekonomi ra për të dytin muaj radhazi, duke zbritur në 7.4%, përkundrejt një niveli maksimal prej 8.3% që kishte shënuar në tetor 2022. Por, një rënie e ngjashme nuk po regjistrohet në komponentin bazë të inflacionit dhe kjo kthen sërish shqetësimet për bankën qendrore.

Nëse inflacioni mesatar në Shqipëri ka qenë ndjeshëm poshtë niveleve të regjistruara në vendet e Eurozonës dhe BE-së, në fakt inflacioni bazë është në nivele ndjeshëm më të larta.

Sipas shifrave më të fundit të Eurostat, inflacioni bazë në Eurozonë për dhjetorin 2022 ishte 5.2%, ndërkohë që për të njëjtën periudhë në Shqipëri ky tregues ishte më shumë se 8.4%.

Një nivel kaq i lartë i inflacionit bazë rrit shqetësimin se goditja inflacioniste e ofertës po përcillet te pagat dhe kostot e tjera të prodhimit dhe mund të gjenerojë presione të reja inflacioniste në vijimësi.

Për Shqipërisë, vala inflacioniste që origjinoi nga tregjet e huaja po ndërthuret me një situatë delikate në tregun e punës, ku mungesa e fuqisë punëtore në shumë sektorë po rrit trysninë mbi bizneset për të rritur pagat. Sipas INSTAT, gjatë tremujorit III 2022 paga mesatare bruto në ekonomi u rrit me 9.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor