MENU
klinika

Importi nga Serbia u rrit 21.7%

Kosova bleu 371 mln euro mallra serbe

23.01.2023 - 15:11

Kosova vazhdon të jetë e varur nga importi i mallrave nga shtetet e huaja. Vetëm gjatë vitit 2022 në vendin kanë hyrë mbi 5 miliardë euro mallra, ku 371 milionë euro mallra vetëm nga Serbia. Importet nga Serbia në vitin që lamë pas janë rritur me gati 21.7 për qind apo mbi 66 milionë euro.

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë më të madhe të konsumojnë produkte serbe. Madje “varësia” nga mallrat e Serbisë sa vjen e rritet. Kjo ka ndodhur edhe vitin që lamë pas. Kosova gjatë vitit 2022, ka importuar mallra në vlerë prej 371.6 milionë euro nga Serbia, e cila sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës llogaritet të jetë partneri i katërt tregtar i Kosovës në këtë aspekt.

Në vitin e 2021 Kosova nga Serbia kishte importuar mallra në vlerë prej 305.4 milionë euro. Në bazë të këtyre të dhënave del se Kosova ka shënuar rritje të importeve nga Serbia me rreth 21.7% apo 66 milionë euro. Kështu mallrat nga Serbia përbëjnë rreth 6.63% të totalit të importeve që ka pasur Kosova gjatë vitit 2022.

Në vitin para pandemisë (2018) Kosova kishte importuar nga Serbia mallra në vlerë prej 386.4 milionë euro. Gjatë viteve të pandemisë dhe Taksës 100% (2019 dhe 2020) Kosova kishte nivelet më të ulëta historike të importeve nga Serbia. Në vitin 2019 që ishte vit i fillimit të pandemisë eksportet nga Serbia nuk shkonin më shumë se 4.4 milionë euro. Një vit më pas, importet shkuan në 173.4 milionë euro derisa në vitin 2021 Kosova nga Serbia importoi mallra në vlerë 305.4 milionë euro.

Së fundmi, është riaktualizuar thirrja për të bojkotuar produktet me origjinë nga Serbia. Nismëtari i fushatës “Mos bli produkte serbe – Besa, besë” për bojkotimin e produkteve serbe, Burim Piraj po bën thirrje vazhdimisht që të mos konsumohen prodhimet e Serbisë.

Sipas tij qëllimi i kësaj fushate është që të vetëdijesohet qytetari i Kosovës, që të mos blejë produkte, të cilat importohen nga fqinji verior.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë politikat e gabuara të qeverisë Kurti, vazhdojnë të favorizojnë prezencën ekonomike të Serbisë në Kosovë.

“Gjatë vitit 2022, Serbia ka rritur importet për plotë 70 milionë euro. Me 370 milionë euro import në vit, Serbia gjatë mandatit të kësaj qeverie, ka arritur rekord të ri. Politikat e gabuara të Qeverisë Kurti, vazhdojnë të favorizojnë prezencën ekonomike të Serbisë në Kosovë. Ankesat për të kaluarën nuk përmirësojnë ekonominë dhe nuk i zgjidhin problemet e së ardhmes. Kemi nevojë për veprime konkrete dhe jo premtime e fjalë boshe!”.

Në një raport të publikuar këto ditë nga GAP del se për sa i përket importit të produkteve, pjesëmarrja e Turqisë në bilancin tregtar është 14.98 për qind apo 839.2 milionë euro, pasuar nga Gjermania me 605.2 milionë euro apo 10.8 për qind, Kina me 545.6 milionë euro apo 9.74 për qind, Serbia me 371.6 milionë euro apo 6.63 për qind, Greqia me 5.49 për qind.

Maqedonia e Veriut me 281.2 milionë euro apo 5.02 për qind, Italia me 271.4 milionë euro apo 4.84 për qind, Shqipëria me 255.3 milionë euro apo 4.56 për qind, Sllovenia me 243.7 milionë euro apo 4.35 për qind dhe Arabia Saudite me 86.2 milionë euro apo 3.88 për qind të fuqisë tregtare për import.

Dogana e Kosovës ka treguar se të hyrat e mbledhura për në vitin 2022 ishin 1 miliard e 531 milionë euro apo 11.23 për qind më shumë. Vlera e mallrave të importuar është 5 miliardë e 603 milionë euro apo 20 për qind më shumë se vitin paraprak, ndërsa vlera e mallrave në eksport ishte 869.5 milionë euro. Rritja e gjithmbarshme krahasuar me vitin paraprak për nga vlera është 22 për qind më shumë se në vitin 2021 ku vlera e mallrave në eksport ishte 712.8 milionë euro./Monitor

Kurti: Hedhim hapat e parë për ngritjen e industrisë ushtarake

Kosova nis procesin për hapje të fabrikës për prodhim të municioneve!

Vuçiç “heq dorë” nga “Serbia e Madhe”

Intervista që zuri ngushtë presidentin serb

Ministrja Gërvalla: Rezultat historik

Kosova hap ambasadën e saj në Kolumbi

Opozita kërkon shkarkimin e kryeministrit

Kaos në Parlamentin serb, deputetët godasin njëri-tjetrin!