MENU
klinika

Opera

‘Anne dhe Zef’, në skenë me historinë e Auschwitz e Kanunit

07.12.2018 - 09:13

Opera “Anne dhe Zef” u shfaq për publikun shqiptar. Ad de Bont shkroi libretin për përshtatjen e veprës së tij të suksesshme “Anne dhe Zef”, e cila bazohet në ditarin e njohur me famë botërore të Anne Frankut. Muzika e operës është krijuar nga Monique Krus. Opera “Anne dhe Zef” është autorizuar nga Orkestra Filarmonike Hollandeze. Produksioni origjinal i orkestrës në dirigjimin e Corina van Eijk, me skenografi dhe video të animuara nga Jolanda Lanslots dhe ndriçim nga Henk Post do të prezantohet me një përkthim të ri në gjuhën angleze nga Jonathan Levi.

Opera në 5 dhjetor ishte premierë në skenën e Universitetit të Arteve, më 6 dhjetor në Tetarin e Pallatit të Kulturës në Kamëz, në 8 dhjetor në Gjakovë dhe më 9 dhjetor në Prishtinë për publikun. Vepra vjen në skena si një produksion i Opera Spanga, Syri Blu, Ambasadat e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë dhe Prishtinë, të mbështetur nga Bavaria Holland, Fondi për Performancën e Arteve të Hollandës dhe Ambasada e Izraelit në Tiranë. Regjisorja e operës, Corina van Eijk bën të ditur se në historinë e veprës tregohet që të dy fëmijët kanë jetuar të izoluar deri në vdekjen e tyre, megjithatë ata takohen me njëri- tjetrin në kontekstin e lirisë absolute; në jetën e përtejme.

“Me këtë opera, duam të tregojmë se shumë pak ka ndryshuar që nga koha e Anne Frankut. Njerëzit janë ende të izoluar në vende për të cilat nuk dinë asgjë. Këta njerëz nuk shfaqen në lajme, megjithatë, historitë e tyre dalin në pah pas shumë kohësh pasi ato kanë ndodhur. Falë Anne Frankut, ne tani dimë shumë më tepër për jetën e përditshme gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo nuk është një temë e thjeshtë, megjithatë, për shkak të muzikës prekëse, e cila është kompozuar posaçërisht për këta këngëtarë të rinj, opera premton të jetë një pjesë emocionuese dhe tepër prekëse”, shprehet regjisorja.

Historia në opera

Anne Frank vdiq në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen. Zef, një djalë shqiptar i ditëve tona, është viktimë e një hakmarrjeje. Ata takohen me njëri-tjetrin në parajsë ku zbulojnë se kanë shumë gjëra të përbashkëta me njëri-tjetrin, pavarësisht dallimeve kulturore. Anne është shkrimtare, Zefit i pëlqen të jetë aktor dhe të dy kanë probleme me prindërit e tyre. Ata i tregojnë njëri- tjetrit për jetën e tyre, gjë që i afron gjithnjë edhe më shumë. Kjo është, me pak fjalë, historia e operës mbresëlënëse për të rinj “Anne dhe Zef”. Pjesa e Annës do të luhet nga sopranoja shqiptare Anjeza Marku, ndërsa baritoni Patrik Vjollca do të jetë në rolin e Zefit. Muzika do të luhet nga orkestra e përbërë nga muzikantë shqiptarë nën drejtimin e Huba Hollokoit. Vepra nis me Anne Frank që është në Parajsë. Aty shfaqet Zef Bunga që mendon se e njeh atë.

Ata flasin për jetën dhe vdekjen e tyre dhe se çfarë bënin kur qëndronin të fshehur. Anne shkruante ditarin e saj dhe Zef vepronte. Anne e pyeti Zefin nëse ai dëshironte të bënte diçka për të dhe së shpejti ajo ra dakord me të. Zef luante rolin e babai e tij, dhe Anne rolin nënës. Zef flet për Kanunin, gjakmarrjen dhe vëllain e tij. Anne i tregon për kohën e saj në kampin Westerbork dhe atë të përqendrimit Auschwitz. Ata ankohen për prindërit e tyre dhe flasin për ëndrrat e tyre. Midis adoleshentëve krijohet një lidhje e veçantë. Kjo opera që më datë 5 dhjetor do të jetë premierë në skenën e Universitetit të Arteve në Tiranë pritet të dhurojë emocione për publikun me ngjarjet e saj, ku më pas do të jetë për publikun në Gjakovë dhe Prishtinë. /Nga Julia Vrapi/Gazeta Sot/

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!

Pesë ditë pas shkarkimit të Abigeila Voshtinës

Aulon Naçi emërohet drejtor i ri i TKOB