MENU
klinika

Prova e re

Audio e përmendur në media për 21 janarin, Prokuroria e Tiranës: Kemi nisur verifikimet!

23.01.2023 - 16:58

Prokuroria e Tiranës ka nisur verifikimin e një materiali të publikuar në media ditët e fundit ku përmendet një audio përgjim i komunikimeve të Gardës së Republikës më 21 janar 2011, kur mbetën të vrarë nga plumbat e gardistëve 4 protestues të opozitës. Burime për Report Tv nga prokuroria bëjnë me dije se i është lënë detyrë Policisë së Shtetit që ta sekuestrojë materialin e përmendur.

“Me kryerjen e veprimeve hetimore të këtij procedimi penal janë ngarkuar Oficerët e Seksionit të Krimeve ndaj Jetës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, të cilët krahas detyrave të urdhëruara prej prokurorëve të ngarkuar me hetimin, do të kryejnë edhe veprimet hetimore të deleguara në lidhje me verifikimin e fakteve të publikuara prej shtetasit A.H (gazetar), fakte të bëra publike prej tij në emisionin “Zona Zero”, më datën 20.01.2023, në televizionin ‘Top Channel’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prej ditës së premte në disa media, kryesisht sociale, qarkun transkriptim i një dialogu të zhvilluar më 21 janar 2011 nëpërmjet radiove, mes komandantit të Gardës të asaj kohe, Ndrea Prendi dhe disa oficerëve. Pretendohet se bëhet fjalë për një audio-përgjim por që në fakt është një tekst pa audio.

Të dielën u bënë 12 vite nga një prej ngjarjeve që ka shënjuar më së shumti historinë e të paktën këtyre 32 viteve demokraci në Shqipëri, krimi i rëndë i 21 janarit 2011, kur u vranë në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ 4 protestues opozitarë nga armët e punonjësve të shtetit: Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Në Prokurorinë e Tiranë vijojnë hetimet për një nga vrasjet që ka mbetur pa autor më 21 janar, ajo e Aleks Nikës, ndërkohë që thirrjet që çështja t’i kalojë SPAK-ut janë intensifikuar pasi duhet hetuar krimi shtetëror dhe urdhëruesit e vrasjeve.