Policia e qytetit verior e pranon se organizatat kriminale që sundojnë në Shkodër i bëjnë sfidë të drejtpërdrejtë Policisë së Shtetit.
Këta të fundit kanë nisur pastrimin e qytetit nga kamerat e sigurisë që janë të vendosura nëpër shtyllat e qytetit dhe nëpër objekte që nuk janë në pronësi të tyre. Policia prej dy javësh ka bërë me dije se i ka zbuluar më në fund këto kamera dhe do t`i shkulë të gjitha, pasi ato janë të vëna vetëm për frikën që krimi ka nga ekzistenca e Policisë.
Për pasojë operacioni ka vijuar në tri lagje që pretendohet se janë lagjet ku rrinë disa prej emrave proverbial të krimit shkodran e më gjerë, por që Policia realisht prej vitesh e ka pasur të vështirë të ndërhyjë edhe kur në Shkodër ka pasur vrasje, rrëmbime dhe atentate të bujshme. Policia pak ditë më parë pati bërë me dije se do të ndërhynte edhe në disa zona të tjera që janë bastione të emrave të njohur të krimit, por deri më tani ka vendosur të qëndrojë në Shkodër.
DJE
38 kamera të tjera sigurie janë çmontuar nga forcat blu pasi dyshohet se përdoreshin nga grupet kriminale. Kamerat ishin vendosur në zona shumë të frekuentuara, konkretisht në lagjet “Guerrile”. Zyrtarisht pranohet se në Shkodër, krimi i organizuar survejon Policinë e Shtetit dhe lëvizjet e grupeve rivale pothuajse në çdo lagje. Pas aksionit të pak ditëve më parë në lagjet e Liçëve dhe Bajrajve, nga rreth rrotullimi “5 Heronjtë” deri tek rreth rrotullimi i parë i “by pass”-it dhe në anën tjetër deri tek rreth rrotullimi i Dobraçit, për çmontimin e 21 kamerave të sigurisë të vendosura në mënyrë të paligjshme, blutë e Shkodrës kanë ndërhyrë sërish këtë të mërkurë për çmontimin edhe të 38 kamerave të tjera, duke e çuar në 59 totalin e tyre.
Ndërhyrja u bë në lagjen “Guerrile”, e njohur ndryshe si lagjja “Kiras”, po ashtu me prezencë të grupit të Liçëve. Aksioni për çmontimin e kamerave vijoi më lagjen “Kongresi i Përmetit”, apo njohur si zona e “Zdrales” dhe në lagjen “Salo Halili”, njohur si zona e Urës së Thive. Njësoj si në operacionin e parë, kamerat ishin të instaluara në shtylla elektrike, në zona që konsiderohen si shumë të frekuentuara nga qytetarët shkodranë. Të gjitha kamerat e çmontuara dyshohet të jenë të lidhura me aparate celulare dhe komandimi i tyre të bëhet përmes internetit, edhe nga jashtë shtetit, dyshohet në Gjermani.
Policia akoma nuk ka arritur të gjurmoj autorët e vendosjes së këtyre kamerave, ndërsa nuk janë gjetur serverët që ruajnë regjistrimet video. Në operacionin e datës 14 janar, policia shoqëroi për t’i pyetur disa persona nga të dyja fiset, Lici dhe Bajri, por asnjë prej tyre nuk pranoi të jetë autori. Ata, me deklarimet e tyre para hetuesve, nuk ndihmuan në identifikimin e autorëve të vërtet që i kanë montuar në mënyrë të kundërligjshme. Pas aksionit të nisur në Shkodër, me urdhër të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku u është kërkuar të gjitha drejtorive të policive në vend që të verifikojnë për kamera të ngjashme të vendosura në kundërshtim me ligjin, por deri tani në terren ka vepruar vetëm Shkodra.