MENU
klinika

Matteo Messina Denaro

Si heshtja dhe “padukshmëria” e mbajtën bossin e mafias për 30 vjet larg prangave

27.01.2023 - 13:22

Banorët e Palermos nuk mund ta dinin me siguri se kush ishte njeriu që ndodhej në makinën e policisë. Në fund të fundit, kishin kaluar 30 vjet që kur ishte parë për herë të fundit në publik.

Por mbi njëqind anëtarë të forcave të armatosura ishin mbledhur në rrugët e ngushta të Palermos atë mëngjes dhe njerëzit mendonin se duhej te ishte një kriminel i rrezikshëm për të shkaktuar atë lloj reagimi.

Matteo Messina Denaro, “bosi i bosëve”, ishte gjetur.

Shpërthyen duartrokitjet dhe brohoritjet. Më vonë, Maria Falcone tha për mediat italiane se do të donte që vëllai i saj të kishte qenë dëshmitar i asaj skene.

Magjistrati antimafia, Giovanni Falcone, u vra nga Cosa Nostra e Siçilisë, e kryesuar nga Messina Denaro, në vitin 1992. Ishte kulmi i “sezonit të masakrave” që kishte pllakosur Italinë në fillim të viteve 1990.

Në atë kohë, sindikata e krimit të organizuar e Messina Denaro po përpiqej, përmes një fushate të vazhdueshme vrasjeje, që i mori jetën më shumë se 20 njerëzve, të detyronte shtetin për lehtësime në burgjet ku ndodheshin bashkëpunëtorët e tij.

Messina Denaro dikur thuhet se mburrej se mund të “mbushte një varrezë” me viktimat e tij.

Ai ishte kryesuesi në rrëmbimin dhe vrasjen e Giuseppe Di Matteo në vitin 1993, djalit 11-vjeçar të një dëshmitari të penduar. Djali u mbajt në robëri për dy vjet para se të vritej dhe trupi i tij u tret në acid për të mos lejuar që familja ta varroste.

Messina Denaro urdhëroi gjithashtu vrasjen e një bosi rival të mafies dhe të dashurës së tij shtatzënë.

Për të u lëshua një urdhër arresti. Më pas, në verën e vitit 1993, ai u zhduk pa lënë gjurmë. Raportimet e “transferuan” atë kudo nga Venezuela në Holandë. Por ishte në Palermo, zemra e atdheut të tij, Siçilisë, vendi ku ai u kap.

Pas arrestimit të tij, policia zbuloi tre streha në Campobello di Mazara, një fshat 115 km (70 milje) nga Palermo dhe 10 km nga vendlindja e tij Castelvetrano.

Campobello e qetë dhe e vogël nuk është vendi ku mund të imagjinohet të fshihesh shumë lehtë, por Messina Denara lëvizte i lirë.

Duket se ai ishte një klient i rregullt i Bar San Vito lokal pasi një fqinj tha se ata shpesh përshëndesnin njëri-tjetrin.

Italia investon sasi të mëdha burimesh në operacionet e saj antimafia, por rasti i Messina Denaro tregon se heshtja mund të pengojë goditjet e shtetit në betejën kundër krimit të organizuar.

Maurizio Bellacosa, avokat penal dhe profesor i drejtësisë në Universitetin LUISS në Romë, tha se Messina Denaro “përdori plotësisht kulturën mafioze” për të mbetur i pazbuluar.

“Nga prania e përhapur e mafias në territor, në një bashkëpunim të pakët ose joekzistent me hetuesit nga shoqëria, në një kod të ngulitur heshtjeje, veçanërisht në qytete të vogla dhe periferi, ku shteti shpesh perceptohet si i munguar”.

Tentakulat e mafies shtrihen thellë në shoqërinë siciliane. Frika dhe kodi i vjetër i heshtjes janë ende të ngulitura.

“Shoqata e stilit mafioz funksionon në një mënyrë shumë të thjeshtë: dhuna dhe frika provokojnë një gjendje nënshtrimi”, tha Bellacosa.

“Në thelb, mafia përdor frikën për të arritur qëllimet e saj.”

Në konferencën për shtyp të dhënë nga policia pas arrestimit, prokurori i Palermos, Maurizio de Lucia tha se Messina Denaro ka të ngjarë të ishte ndihmuar nga “borgjezia mafioze”, duke iu referuar profesionistëve, sipërmarrësve dhe politikanëve vendas.

Këtë e tregojnë arrestimet e kryera ndër vite të personave të cilësuar të afërt me Messina Denaro. Gazetari me bazë në Palermo, Tullio Filipponi, tha se këta ishin individë që “pranuan të jetonin dhe të bashkëpunonin me mafian, duke mbyllur një sy kur bashkëpunëtorët e mafias kanë nevojë për ekzaminime mjekësore, vlerësime ose menaxhim të pasurisë”.

“Çdo sicilian e di se mafia ekziston dhe ajo ka fuqinë të ndikojë në shoqëri dhe të ushtrojë kontroll mbi territorin në mënyrë kapilare.”

Nëse Messina Denaro po bënte një jetë pensionisti, apo nëse ai ishte ende aktiv dhe i përfshirë në aktivitete kriminale është e paqartë, dhe mund të rezultojë se arrestimi i tij spektakolar ishte pjesa e lehtë.

Edhe pse vitet e bombave në makina dhe dhunës mund të kenë mbaruar, shumica e ekspertëve pajtohen se me kalimin e viteve, mafia është shndërruar në një organizatë më pak të ndezur por ndoshta më tinëzare.

Në këtë kontekst, duartrokitjet spontane në mëngjesin e arrestimit u vlerësuan nga shumë njerëz si një shenjë e jashtëzakonshme ndryshimi.

Zonja Falcone, motra e gjyqtarit të vrarë, tha se ajo u emocionua nga “brohoritjet në rrugë, mes autobusëve, njerëzit që përqafonin policinë me jelekët e tyre antiplumb. Është një fitore për shoqërinë italiane në tërësi”.

Një 18-vjeçar i tha gazetës italiane La Repubblica: “U drodha nga emocionet kur pashë njerëz që duartrokisnin policinë. Ky shesh i mbushur me njerëz është dëshmi se ky qytet nuk dëshiron të etiketohet nga mafia”.

Gjeneratat e vjetra mund të kenë pikëpamje të ndryshme. Filipponi tha se në Siçili kishte 60-vjeçarë që kishin përjetuar vrasjet e viteve 1990, dhe megjithatë ata mbronin Messina Denaro

Të paktën simbolikisht, arrestimi i Messina Denaro është jashtëzakonisht domethënës, madje “një formë çlirimi”, tha Filipponi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


A ndihmon për pastrimin e imazhit të Italisë?

I fundit i bosëve në moshë, pse u arrestua Messina Denaro tani

Matteo Messina Denaro, 30 vite në arrati

Arrestohet në një klinikë private bosi i mafies siçiliane

Bunker i blinduar në pjesën e pasme të gardërobës

Zbulohet streha e dytë e mafiozit italian!

Jeta në arrati e bosit të mafies

Shuhet miti i “kumbarit të fuqishëm”!