MENU
klinika

Arkitektura e qytetit lundrues

Si u ndërtua Venecia, që duket sikur noton mbi ujë

29.01.2023 - 10:26

Qyteti romantik i Venecias njihet me shumë emra. Si qyteti lundrues, qyteti i kanaleve ujore,dhe madje edhe si Mbretëresha e Adriatikut. Ky qytet i rrethuar nga uji u ndërtua mbidhjetëra ishuj të vegjël të vendosur në Lagunën e Venedikut, një gji ligatinor i detit Adriatik, i ndërlidhur me ura dhe kanale.

Në rast se po pyesni veten se si ishte e mundur të ndërtohej arkitektura mahnitëse e Venecias në mes të asaj që në thelb është një moçal, atëherë nuk jeni i vetmi. Ndërsa Venecia duket sikur noton mbi ujë, shumica e njerëzve supozojnë se qyteti është ndërtuar direkt në ishujt e Lagunës Veneciane.

Në fakt, ndërtesat e Venecias u ndërtuan mbi platforma druri të mbështetura nga shtylla druri të futura nën tokën e përmbytur nga uji. Kjo vepër arkitekturore është një mrekulli inxhinierike, dhe i ka rezistuar qindra viteve histori. Historia e Venecias fillon në shekullin e V Pas Krishtit.

Pas rënies së Perandorisë Romake Perëndimore , barbarët nga veriu po sulmonin territoret e Romës. Për t’i shpëtuar këtyre bastisjeve, popullsia veneciane u arratis në kënetat aty pranë,dhe gjeti strehim në ishujt ranorë Torcello, Iesolo dhe Malamocho.

Ndonëse vendbanimet e para ishin të përkohshme, pas ndërtimeve fillestare të fundosura në baltë, gradualisht venedikasit i populluan ishujt në mënyrë të përhershme. Për të siguruar themele të forta, ata zhvilluan një metodë ndërtimi inteligjente. Kjo përfshinte futjen në baltëtë trarëve me gjatësi nga 4-8 metra, derisa prekën fundin e lagunës.

Mbi këto trarë ata ndërtuan platforma druri, përpara se të ndërtonin sipër ndërtesa. Kjo metodë, krijoi një terren të aftë të mbante strukturat e rënda që vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot. Një tjetër nga materialet e spikatura të përdorura në ndërtim ishte guri i Istrias i ngjashëm me mermerin, një lloj guri gëlqeror i papërshkueshëm nga uji që nxirrej në Istria të Kroacisë.

Sipas disa vlerësimeve, ai përbënte më shumë se 90 për qind të gurit të përdorur në ndërtimin e Venecias. Guri gëlqeror i Istrias, është një material i fortë. Ai është përdorur në majë të platformave prej druri si pjesë e themeleve të ndërtesave të spikatura, për shkak të aftësisë së tij për t’i rezistuar erozionit dhe lagështisë.

Ndërsa vizitorët në Venecia mahniten me fasadat e Istrias, përdorimi i këtij guri në themelet ndërtesave, shpjegon edhe mbijetesën e qytetit antik. Më pas, guri gëlqeror u mbulua me tulla dhe gurë për të dhënë aspektet e dukshme të arkitekturës mahnitëse të Venecias.

Përdorimi i drurit si një strukturë mbështetëse mund të jetë i habitshëm, pasi druri është zakonisht më pak i qëndrueshëm se guri ose metali. Por sekreti i jetëgjatësisë së themeleve prej druri të Venecias, bazohet në faktin se ato janë zhytur në ujë, pra ngjajnë me një pyll nënujor të kthyer kokëposhtë.

Kjo sepse dekompozimi i drurit shkaktohet nga mikroorganizmat, si kërpudhat dhe bakteret. Ndërsa sistemi mbështetës prej druri është i zhytur nën ujë, trarët e ngulur nën tokë nuk ekspozohen ndaj oksigjenit, një nga elementët që u nevojiten mikroorganizmave për të mbijetuar.

Përveç kësaj, prania e vazhdueshme e ujit të kripur përreth e ngurtëson me kalimin e kohës, duke e kthyer drurin në një strukturë të ngurtësuar si prej guri. Lënda drusore ishte një mall veçanërisht i rëndësishëm për shoqërinë veneciane, pasi përdorej jo vetëm në themelet e qytetit, ku përdoreshin kryesisht lisi dhe pisha, por edhe për dyshemetë, çatitë, kornizat, mobiljet dhe natyrisht për ndërtimin e anijeve ushtarake veneciane.

Sipas një burimi të shekullit XVII-të, që përshkruan në detaje metodat e ndërtimit të përdorura në Venecia, mbi 1 milion shtylla druri u përdorën vetëm gjatë ndërtimit të kishës Santa Maria Della Salute. Secila prej shtyllave prej druri të përdorura ishte afro 4 metra e gjatë, e marrë nga pyjet e Italisë veriore, Sllovenisë, Kroacisë dhe Malit të Zi dhe u transportua në Venecia përmes detit.

E përfunduar në vitin 1687, Santa Maria Della Salute u ndërtua për të falënderuar Zotin për çlirimin e qytetit nga murtaja. Sasi të tilla drurësh të përdorura mendohet se kanë qenë pjesërisht përgjegjëse për shpyllëzimin e vargmaleve Dinarike në Ballkan.

Ndërsa është e vështirë të imagjinohet se si një qytet, në fillim i parëndësishëm, dhe i ndërtuar mbi një moçalishte, mund të bëhet një superfuqi, e kaluara e tij e begatë është ende e dukshme në arkitekturën e tij të famshme. Në fakt, vendndodhja e Venecias, e rrethuar me ujë dhe në brigjet e Adriatikut, ishte thelbësore për zhvillimin e saj.

Pozicioni i saj gjeografik, e lehtësoi zhvillimin e qyteti në një qendër kryesore tregtare midis Lindjes së Afërt dhe Evropës, dhe si një forcë dominuese në Mesdheun Lindor, duke e bërëpër qindra vjet një qendër të fuqishme tregtare. E njohur për zgjuarsinë në biznes, Venecia e arriti kulmin e saj në shekullin XV-të, sidomos falë rolit që luajti në tregtinë e kripës, erëzave dhe produkteve luksoze.

Si një qytet i rrethuar nga uji, Venecia kishte një avantazh të dukshëm ndaj fqinjëve të saj. Së pari ajo ishte e sigurt nga pushtimet. Për shembull, Pepini, djali i Karlit të Madh, u përpoq tapushtonte, por dështoi pasi nuk ishte në gjendje të depërtonte tek ishujt mbi të cilët ishte ndërtuar qyteti.

Kështu ajo u bë një fuqi e madhe detare në Mesdhe. Në vitin 1204, Venecia iu bashkua kryqtarëve dhe arriti të pushtonte kryeqytetin bizantin, Kostandinopojën. Megjithatë, filloi të bjerë duke nisur nga shekulli XV-të, dhe u pushtua nga Napoleoni në vitin 1797 kur ai pushtoi Italinë.

Sot më shumë sesa një qytet lundrues, Venecia është më shumë një qytet që po fundoset . Laguna që dikur e mbrojti nga pushtuesit e huaj, është shndërruar në kërcënimin më të madh për mbijetesën e saj. Venecia është në rrezik për shkak të rritjes së nivelit të ujit, dhe përmbytjet shkaktojnë kaos disa herë në vit.

Përmbytja shkaktohet nga baticat jashtëzakonisht të larta, të cilat mund të arrijnë deri në 3 metra për shkak të erërave të forta, stuhive dhe shirave të fortë. Për ta shpëtuar qytetin janë propozuar një sërë zgjidhjesh. Një nga to masa është projekti MOSE, një shkurtesë për Modulo Sperimentale Elettromeccanico (Moduli Eksperimental Elektromekanik).

Ai parashikon përfshin ndërtimin e portave të lëvizshme anti–përmbytje, që e ndajnë lagunën nga Deti Adriatiku, kur batica kalon lartësinë mbi 1 metër mbi nivelin e zakonshëm. Edhe pse ai ka qenë i shoqëruar me skandale, dhe ka dështuar t’i përmbahet afateve në më shumë se një rast, banorët shpresojnë që ky projekt i shtrenjtë (që shkon në miliarda euro) dhe inovativ, do të jetë në gjendje të mbrojë Venecian edhe për brezat e ardhshëm. Por më pesimistëtdyshojnë se masa të tilla do të mjaftojnë. Ata mendojnë se një ditë qyteti do të fundoset, ashtu siç ndodhi dikur me qytetin legjendar Atlantida. / ancient origins – bota.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN