Osman Dembele është detyruar të ngrejë flamurin e bardhë në momentin më të mirë të tij te Barcelona.
Sulmuesi francez ka pësuar një tërheqje muskulore në takimin e së shtunës në La Liga na derbin e Katalunjës përballë Gironës.
Sipas prognozave të para dhe njoftimit të bërë publik nga Barcelona, Dembele pritet të qëndrojë 5 deri në 6 javë larg fushave. Kjo do të thotë se ai rrezikon të mos jetë as në ndeshjen e vajtjes në Ligën e Europës përballë Mançester Junajtidit.
Dëmtimi i Dembelesë i ka prishur jo pak humorin trajnerit Ksavi Hernandez, me francezin që ishte kthyer në një pikë referimi për katalanasit.
Të dhënat paraprake nënvizojnë se ai do të duhet të qëndrojë për 5-6 javë larg fushave, por sulmuesi i krahut rrezikon edhe më gjatë.
Por për këtë priten analiza më të hollësishme që do të zhvillohen në ditët në vijim.
Nëse do të konfirmohet dëmtimi 5-6-javor, Dembele do të humbasë 5 takime në La Liga, dy takimet kundër Junajtidit në Ligën e Europës dhe dy gjysmëfinalet në Kupën e Mbretit.