Profesori dhe akademiku Artan Fuga ka bërë një analizë për situatën ku Kuvendi ndodhet aktualisht. Me anë të një postimi në Facebook, Fuga thotë se “Kuvendi i Shqipërisë është hallka ku pështillet e gjithë vorbulla e degjenerimit, degradimit dhe murtajës e sistemit politike”.
Sipas tij, ky institucion duhet të ishte tempulli, por është rrënoja, ndërsa duke u ndalur tek ligjet e mazhorancës, ai thotë se “janë si panine të djegura nga furra e bukës e harruar ndezur”.
Dy fjalë, Fuga i ka edhe për opozitën, ku ndër të tjera thotë: “Nëse doni vërtet vota qytetare mos e ngatërroni Kuvendin me Teatrin Kombëtar, por pranoni se në Shqipëri as ka patur dhe as ka ndarje pushtetesh, administrata, drejtësia, Kuvendi, Presidenti, Ojf, janë kontrolluar nga një dorë që është partia, parti që kontrollohet nga kryetari i saj”.
Analiza e Artan Fugës
Dy fjalë opozitës për Kuvendin e Shqipërisë
Opozita nëse dëshiron të ndiqet nga qytetarët të mos ankohet se përse e përjashtojnë kur bërtet paaaaaak më shumë seç duhet dhe se ç’e lejojnë nga punimet e Kuvendit, as se përse atje veç fjalëve nuk ka veçse çelësat e kashtës! Por, ta shohë problemin thellë dhe përtej interesave meskine të individëve deputetë që si të gjithë njerëzit e trajtojnë çështjen publike vetëm nën këndvështrimin personal.
Kuvendi i Shqipërisë është hallka ku pështillet e gjithë vorbulla e degjenerimit, degradimit dhe murtajës, flamës po të doni, e sistemit politik në Shqipëri. Aty ku duhet të ishte “tempulli” nuk është veçse rrënoja!
Mos u fshini pas zhurmës që bëni, në dhjetra vite nuk ka sjellë asgjë të mirë për ne qytetarët!
Shifni ligjet që dalin si panine të djegura nga furra e bukës e harruar ndezur! Cdo gjë e paligjshme dhe vjellhajdute te ne mbështetet kryesisht në ligj!
Nëse doni vërtet mbështetje qytetare, pranoni që grupet e deputetëve, të gjitha, nuk janë veçse nën thundrrën e kryetarëve të partive, nuk janë veçse detashmente të tyre, asgjë më shumë.
Nëse doni mbështetje qytetare pranoni se individi deputet nuk është veçse një burmë dhe rrotë pa pavarësi vendimmarrëse e mekanizmit që quhet grup deputetësh dhe që sikurse thamë në mënyrë të figurshme nuk është veçse “gardist”, “grup zjarri” i kryetarit të partisë.
Nëse doni vërtet vota qytetarësh pranoni se cdo deputet nuk zgjidhet me votën e popullit për të, por nuk zgjidhet veçse si “letër afisheje”, “emër” në një listë që jo më shumë se një e pesta, një e dhjeta e elektoratit që ka votuar. Disa qindra ose pak mijë veta. Cfarë statusi përfaqësues ka personalisht? Asgjë!
Nëse doni të fitoni besim pranoni se kush i ka bërë fuqitë e kryeministrit që jo ta kontrollojë qeveria atë, dhe qeverinë Kuvendi, por Kuvendi nuk është veçse një “pupël” me të cilën kryeministri në të gjitha kohërat nuk bën veçse fshin pluhurat e portretit të vet që sheh te piktura e Dorian Greit ku është Skënderbeu mbi kal a mushkë, apo Ismail Qemali me fytyrë të trishtët dhe depresive gati duke qarë!
Nëse doni vërtet vota qytetare mos e ngatërroni Kuvendin me Teatrin Kombëtar, por pranoni se në Shqipëri as ka patur dhe as ka ndarje pushtetesh, administrata, drejtësia, Kuvendi, Presidenti, Ojf, janë kontrolluar nga një dorë që është partia, parti që kontrollohet nga kryetari i saj.
Shteti ynë nuk është partizan, sepse është bipartizan, ose tripartizan. Më keq akoma.
Nëse doni vërtet mbështetje qytetarësh, dhe jo ca vende kolltuqe deputeti për veten dhe miqtë tuaj, qoftë edhe në opozitë, se aq ju bën, në rregull jeni, pranoni se ligja elektorale ju jep monopolin më të shëmtuar politik, nga i cili vijnë të gjithë monoplet e tjera, partive kryesore në Kuvend. Përjashton de facto duke i vendosur në pozita nënshtrimi duke i privuar nga e drejta e zgjedhjes cdo parti tjetër politike dhe cdo lëvizje qytetare.
Nëse doni vërtet votën qytetare hiqni dorë nga të gjitha privilegjet financiare, nga statusi i privilegjuar, pranoni se përbëni shtresën më të pasur të shoqërisë, pranoni se nga hyzmeqarë të kombit që duhet të ishit, jeni bërë “agallarët” e tij!
Pranoni se as merreni dhe takoni elektoratin për ta konsultuar jo për fushata zgjedhore, por për ligje dhe procedura të tjera. Shumë prej jush e përbuzin elektoratin!
Ndërmerrni reformën e thellë të vetes suaj si “hyzmeqarë” të së mirës publike, se ndryshe besimi i publikut do të jetë i ulët dhe kurrë elektorati nuk do të bëjë dallimin midis jush!
Kuvendi i Shqipërisë është bërë problem sepse shumica atje në fakt është një njeri i vetëm, të tjerët nuk janë veçse numra, kurse opozita nuk ka asnjë pushtet, dhe mbi të gjitha siç e dini kashtë e koqe!
Diktatura, në tmerrin e vet ka një frenim, sepse diktatori e kupton që duke mos qenë legjitim, duke qenë i izoluar, ka frikë nga dallga popullore, sikurse e mori në vitin e largët, o sa të largët ’90, kurse diktatura e bazuar te loja gjoja kuvendore, por e mbështetur te pushteti i një njeriu të vetëm, sido ta ketë emrin, është jo vetëm shkatërruese për kombin, por edhe sundon, hohoho, me çdo ngjyrë politike, pa u shqetësuar për asgjë, veçse për sfilatën e rradhës, aparatamentin e radhës, vilat e rradhës, postet e rradhës, kostumin, kollaren, kanatjeren, mbathjet e rradhës!