Partizani zhvilloi dje në mesditë stërvitjen e fundit para ndeshjes së sotme që të kuqtë do të luajnë ndaj Korabit në orën 13:00 në llogari të Kupës së Shqipërisë.
Përballja e parë e luajtur në Dibër ka përfunduar me shifrat 1-3 në favor të kryeqytetasve, çka ia bën më të lehtë këtë betejë të dytë.
Lajmi i mirë është se trajneri Kolela nuk ka asnjë lojtar të dëmtuar, teksa edhe Preka është kthyer së fundmi në stërvitje, megjithëse do t’i duhet kohë për të ardhur në ritmin e duhur.
Pavarësisht se ka luksin e zgjedhjes, Kolela pritet të ndërtojë një formacion miks me lojtarë titullarë dhe të tjerë që nuk kanë pasur minutat e duhura për shkak se ndeshjet në ditët e fundit kanë qenë shumë të ngjeshura dhe kanë shkaktuar padyshim mbingarkesa te disa lojtarë.
Në portë këtë herë do të luajë Rexhepi, teksa me shumë mundësi do të rezervohen minuta edhe për Mba, me qëllim përfshirjen e tij në ingranazhet e skuadrës.
Nga ana tjetër, Korabi pritet të luajë me më të mirët.