MENU
klinika

Në Lezhë gjenden poshtë urës

Policia mësyn Veriun, në 3 qarqe shkulën 34 kamera të krimit!

03.02.2023 - 10:14

Policia e Shtetit ditë pas dite jep shifrat e operacionit të koduar “Fijet e krimit”, duke treguar të dhëna konkrete në aksionin policor.

Ky aksion ka vijuar edhe ditën e djeshme në tri qarqe të Veriut të vendit, duke bërë të mundur identifikimin dhe më pas edhe çmontimin e të gjitha kamerave që sipas Policisë janë vendosur për të verifikuar veprimet e Policisë në rastin e ndonjë ndërhyrjeje për arrestim. Zyrtarisht, u bë me dije se ka vijuar çmontimi i kamerave të vëna nga grupet kriminale në të gjithë vendin. Në 3 qarqe janë hequr vetëm dje në total 34 kamera. Shifra e djeshme e ka çuar numrin e kamerave të shkëputura në një total prej 485 kamera të hequra në të gjithë vendin. Operacioni është shtrirë në qarkun Shkodër, Lezhë dhe Dibër. Mirëpo në njoftimin e Policisë së Shtetit për të gjitha aksionet e ndërmarra deri më tani, ajo që bie në sy është fakti se Elbasani është një ndër vendet me numrin më të ulët të instalimit të kamerave, ndërkohë që rezulton me kriminalitetin më të madh në vend.

Megjithatë, Policia thotë se aksioni do të vijojë edhe në ditët në vazhdim derisa të mendohet se janë çmontuar fijet e krimit të kapura nëpër shtyllat e lagjeve apo të fshatrave ku kanë vendbanimin ose vendqëndrimin anëtar të grupeve kriminale.

OPERACIONI NË QARQE
Policia e Shtetit ditën e djeshme ka bërë me dije se në qarkun Shkodër, në vijim të fazës së dytë, Policia ka çmontuar 20 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin. Deri tani, në këtë qark janë sekuestruar në total 79 kamera.

Ndërsa zyrtarisht thuhet se në qarkun Lezhë, gjatë fazës së njëmbëdhjetë të planit operacional policor të koduar “Fijet”, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar 9 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjin, në Mirditë dhe në Zejmen, Lezhë. Për 4 kamerat e instaluara në Zejmen, Lezhë, është iniciuar hetimi për 1 person.

Në qarkun e Dibrës, në vijim të fazës së shtatë të këtij plani operacional, në qytetin e Peshkopisë, Policia ka çmontuar dhe sekuestruar 5 kamera dhe u bë me dije se në hetim për ndërhyrje të padrejta në jetën private, 3 persona. Deri tani, në këtë qark, janë çmontuar dhe sekuestruar në total 6 kamera dhe janë iniciuar hetime të thelluara për 4 personave.

Vijon puna hetimore, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit të kamerave të vendosura në kundërshtim me ligjin.

Që prej fillimit të operacionit “Fijet” Policia ka asgjësuar 485 kamera sigurie të vendosura pa leje dhe me synim spiunimin e grupeve rivale dhe efektivëve të Policisë. Nën hetim, në 9 qarqe ku operacioni është shtrirë janë vënë 83 persona, një pjesë e madhe e të cilëve me precedent të theksuar kriminal.

Emra si Plarent Dervishaj, Avdylajt e Shijakut, Saimir Taullau në Lushnje, e më gjerë. Në pamjet e publikuara nga policia e shtetit në vijim të operacionit të kamerave të vëna nga grupet kriminale është çmontuar një kamer poshtë urës në Lezhë dhe Mirditë. Në total në 24 orët e fundit, janë çmontuar në Mirditë dhe në Zejmen, Lezhë, 9 kamera të vendosura në kundërshtim me ligjet në fuqi. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN