Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë solli në vëmendje një nga veprat më interesante që ruhen në fondin e tij. Është “Himni Akathist”, një përshkrim me detaje i jetës së Shën Marisë, i ndarë në skena.
Kjo është një ikonë e rrallë e pikturuar nga mjeshtri i ikonografisë Konstandin Shpataraku gjatë shek. të XVIII. Në këtë ikonë mjeshtri shfaqet si një miniaturist i madh, me një talent të jashtëzakonshëm. Në qendër lart paraqitet një skenë e kurorëzimit të Virgjëreshës e cila pasohet nga 24 skena nga jeta e Shën Marisë të pikturuara në kuadrate të rregullta, ku mbizotëron një ngjyrë blu e thellë e cila bën të kontrastojnë bukur tonet e arta dhe të ngrohtat.
Ngjarja fillon me skenën e lajmërimit, “Ungjëllizimi” dhe përfundon me ngjitjen e Shën Mërisë në qiell.
Figurat janë vizatuar me saktësi dhe elegancë. Çdo detaj është pikturuar me kujdes të jashtëzakonshëm.
Ikona ka qenë pjesë e dekorit të kishës së Shën Mërisë nga Manastiri i Ardenicës dhe sot përbën një aset shumë të çmuar në ekspozitën e MKAM.