Kryeministri Albin Kurti, bashkë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi i pritën në Qeveri ambasadorët dhe diplomatët e akredituar të misioneve diplomatike në Kosovë. Sipas Zyrës së Kryeministrit, takimi kishte për temë qednrore të diskutimit procesin e dialogut, propozimin europian për marrëveshjen dhe “rrugën përpara”. Në komunikatë për media pas takimit, ZKM-ja nuk e përmendi Asociacionin, por atij iu referua si “marrëveshja e Brukselit e vitit 2013”,.
“Kryeministri Kurti i njoftoi ata me qëndrimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës përfshirë këtu edhe gjashtë pikat e prezantuara në Seancën e Kuvendit javën e kaluar në lidhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013”, thuhet në komunikatë.
Ndër të tjerash, ZKM-ja thotë se Kurti ka thënë se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për dialog përmes qasjes konstruktive dhe propozimeve kreative.
“Ai po ashtu shprehu gatishmërinë e tij për takime të radhës në Bruksel të nivelit të lartë politik dhe intensifikim të procesit të dialogut për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, thuhet në komunikatë.
Kurti të enjten në një seancë të Kuvendit renditi gjashtë kushte në mënyrë që Asociacioni të bëhet i pranueshëm sipas tij.