MENU
klinika

Protesta e 11 shkurtit

Rrumbullaku mbledh të gjithë shefat e komisariateve, 1500 efektivë dalin në terren, bllokohen akset kryesore

09.02.2023 - 18:59

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka thirrur në një mbledhje të gjithë shefat e komisariateve të Tiranës në prani të drejtuesve të departamenteve për të diskuar planin e masave për tubimin e 11 shkurtit që do të organizohet nga Opozita. Paraprakisht raportohet se në terren pritet të jenë mbi 1500 efektivë policie, por në mbledhjen e zhvilluar nga Rrumbullaku do të jepen edhe të tjera poorsi.

Gatishmëria e efektivë të policisë pritet që të nisë që të premten pasdite, ndërsa mëngjesin e të shtunës, Tirana do të zgjohdet gjysmë e bllokuar. Të gjitha akset që të çojnë në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, ku dhe pritet të zhvillohet protesta, do të jenë të bllokuara.

Masa pritet të merren dhe për Kryeministrinë, e cila është planifikuar të fortifikohet, siç ka ndodhur në protestat e kaluara. Opozita kërkon largimin e kryeministri Edi Rama. Protesta u thirr pas publikimit të dosjes së ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, dosje që zbuloi dhe takimet e ish-zyrtarit të lartë me kryeministrin Edi Rama.

Ç’ndodhi me dosjen e McGonigal?

Mbi një javë më parë, FBI arrestoi ish-zyrtarin e lartë të kësaj strukture, Charles McGonigal. Në dosje shkruhet e zeza mbi të bardhë se McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, që janë përkatësisht Agron Nezaj e Dorian Duçka, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare. Nezaj del në dosje si njeriu që i jep 225 mijë dollarë McGonigal në mënyrë që të ndërhyjë në FBI që të nisë hetimin për personin që po lobonte në SHBA për PD-në, në vitin 2017 kur drejtohej nga Lulzim Basha. Supozohet që bëhet fjalë për Nicolas (Nick) Muzin. Ndërsa Duçka del si njeriu që e shoqëron kudo ish-agjentin, paguan fluturimet e akomodimet e tij, si dhe i përcjell informacionet e nevojshme që do t’i shërbenin në nisjen e hetimit nga FBI. Rama mohon të ketë lidhje me akuzat e ngritura nga McGonigal, duke pretenduar se nuk ka dijeni për asgjë, por që nga momenti i publikimit të dosjes dhe deri më sot, lidhur me ngjarjen nuk ka pasur asnjë reagim nga Ambasada Amerikane. Ndryshe nga shumë herë, ambasadorja Yuri Kim ka zgjedhur që të heshtë.